Edhe pse kompania shtetërore e kontrollit ajror është në prag falimenti dhe nën gjobë 130 milionë euro nga arbitrazhi, drejtori Maksim Et’hemaj ka shpallur tenderë të dyshimtë për trajnime e pastrime zyrash që tejkalojnë çdo logjikë financiare...
Në buletinin e datës 3 nëntor 2025, “Albcontrol” ka hapur dy tenderë me vlera të fryra për trajnime emergjencash dhe pastrim zyrash me shifra që arrijnë afro 1.7 milionë euro. Njëri prej tyre përsëritet çdo dy vite, ndonëse sipas marrëveshjes me “Eurocontrol” duhet të zhvillohet çdo pesë vite, ndërsa tjetri paguan 770 mijë euro për një shërbim që mbulohet nga pesë sanitare të kompanisë.
Kompania shtetërore “Albcontrol”, që administron hapësirën ajrore shqiptare dhe është pjesë e rrjetit të “Eurocontrol”, po operon në një situatë financiare të falimentuar.
Pas vendimit të arbitrazhit që e dënon me 130 milionë euro gjobë, dhe humbjeve që justifikohen përmes bilanceve të falsifikuara, drejtori i saj, Maksim Et’hemaj, ka zgjedhur rrugën e zakonshme të pushtetarëve në ikje: tenderat e minutës së fundit.
Në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 3 nëntor 2025, “Albcontrol” ka shpallur një tender me fond limit 933 mijë euro, me objekt “Trajnim Refresh i emergjencave ATCO” – një procedurë e përsëritur për të tretën herë në pesë vite.

Ky tender është zhvilluar më parë në shkurt 2020 për 790 mijë euro dhe në mars 2023 për 820 mijë euro, ndërsa tani ka rritur vlerën në 933 mijë euro, duke shkelur standardin e “Eurocontrol”, sipas të cilit ky trajnim duhet të kryhet një herë në pesë vite, jo çdo dy.
Shtimi i frekuencës dhe i vlerës financiare i jep tenderit aromë të qartë abuzimi, duke krijuar dyshimin se kemi të bëjmë me një skemë fiktive faturash dhe rimbursimesh për të justifikuar “shpenzime” që në fakt nuk ekzistojnë.
Tenderi i dytë, po aq absurd, është ai për “shërbimin e pastrimit të zyrave të Albcontrol”, me vlerë kontrate 770 mijë euro për tre vite, që i është dhënë kompanisë “Clean Fast sh.p.k.” pas nëntë muajsh manovra proceduriale.
Burime nga brenda kompanisë konfirmojnë se tenderi është shtyrë disa herë për të përshtatur kriteret me kompaninë fituese, duke ndryshuar specifikime teknike dhe duke krijuar “garë” formale me pjesëmarrës të paracaktuar.
Në realitet, shërbimi i pastrimit kryhet nga pesë punonjëse sanitare të paguara nga vetë struktura organike, sipas një plani pune që mbulon të gjitha zyrat dhe ambientet e kompanisë.
Kjo do të thotë se 770 mijë eurot do të përdoren për fatura fiktive, me letra që justifikojnë një shërbim që tashmë kryhet brenda ndërmarrjes.
Sipas ekspertëve të financave publike, rishpallja e tenderëve të njëjtë në intervale të shkurtra është një metodë klasike për të shpërndarë fonde të brendshme para ndryshimeve të drejtimit.
Në këtë rast, Et’hemaj, i emëruar me mbështetje politike, po tenton të spastrojë buxhetin e kompanisë përmes tenderëve të paracaktuar, ndërsa kompania gjendet në një situatë të rrallë për një ent publik: detyrime të pashlyera dhe borxhe që kalojnë 150 milionë euro.
Në kontrast me këtë krizë, drejtuesit e Albcontrol marrin paga mes 2,500 dhe 6,000 euro në muaj, pa përfshirë shpërblimet dhe dietat periodike.
Pra, një kompani që rezulton me borxhe kolosale, gjoba ndërkombëtare dhe humbje të sajuara, po shpërndan miliona për tenderë luksi e “trajnime refresh”, të cilat më shumë se investime, janë shenjë e një vjedhjeje të përgatitur me kujdes.
“Albcontrol” është shembulli i qartë se si falimentimi shtetëror shërben si mbulesë për pasurimin personal të drejtuesve politikë.
Në vend që të paguajë detyrimet dhe të shpëtojë nga arbitrazhi, kompania vazhdon të shpallë tenderë fiktivë, duke u kthyer në një fushë eksperimentale për abuzime dhe zhvatje fondesh publike.
Dhe për sa kohë që SPAK hesht, Maksim Et’hemaj do të vijojë të pasurohet, ndërsa Albcontrol do të fundoset edhe më thellë në borxhe./Pamfleti
Kur ska shtet e ligj qe tua ngarkoje me B te vete e te fryhen sa te duan pastaj shpirtzinjt