
Hetimet për aferat me rrugët po marrin përmasa të reja. SPAK, në bashkëpunim me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka urdhëruar një valë kontrollesh që deri tani kanë përfshirë të paktën 54 banesa, zyra dhe biznese të lidhura me emrat kyç të dosjes.
Fokusi i operacionit janë struktura të rëndësishme të shtetit si Ministria e Infrastrukturës, ARRSH dhe KESH, ku janë goditur figura kyçe si shefja e kabinetit Sindi Dushku, ish-drejtues të institucioneve dhe persona të përfshirë në kontratat publike. Deri më tani janë ekzekutuar 34 urdhra kontrolli, ndërsa në ditët në vijim pritet të zbatohen edhe 20 të tjerë, me vendim të gjyqtarit Erjon Çela.
Ndër personat që u janë bastisur banesat janë Sajmir Kuçi, ish-punonjës i ARRSH; Erald Elezi dhe Gentian Gjyla, të dy ish-drejtues në KESH dhe ARRSH, aktualisht të hetuar dhe nën arrest për çështjen e tunelit të Llogarasë. Në të njëjtën linjë janë edhe Marsel Hoxha, Jonida Çeço dhe Viola Haxhihademi, me funksione të larta në të kaluarën brenda Ministrisë së Infrastrukturës.
Operacioni është mbajtur larg Policisë së Shtetit dhe është menaxhuar ekskluzivisht nga BKH, për të ruajtur konfidencialitetin dhe për të shmangur rrjedhjen e informacionit.
Lini një Përgjigje