Kryebashkiaku i Kuçovës Kreshnik Hajdari do të dalë nesër para gjykatës, për t’u përballur me akuzat e SPAK për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
Edhe pse KQZ refuzoi t’i hiqte mandatin, SPAK e gjeti atë fajtor, pasi Hajdari ka fshehur një dënim në Greqi.
Avokati Arben Llangozi ka reaguar sot në rrjetet sociale, ku shprehet se ai rrezikon 6 muaj deri në 5 vjet burgim.
Reagimi i avokatit
I pandehuri Kreshnik Hajdari ditën e nesërme përballet me drejtësinë për kallzimin e bërë nga ana ime si avokat, e banorëve të Sinecit në fshatin Lumas Kuçovë dhe të ish deputetit Lefter Maliqi.
Prokuroria e Posaçme, pasi hetoi kallzimin tonë, konstatoi se Hajdari ka konsumuar elemente të veprës penale të falsifikimit të formularëve më shumë se një herë, vepër kjo e parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.
Në nenin 190/2 i Kodit Penal parashikohet dënim nga 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Kjo dispozitë ligjore nuk parashikon dënim me gjobë apo dënime të tjera alternative.
Së shpejti i pandehuri Kreshnik Hajdari do të jetë i dënuar, dhe njëkohësisht i pandehuri Hajdari do të jetë shok qelie me Safet Gjicin.
I pandehuri Kreshnik Hajdari do të gjykohet ditën e nesërme datë 10.01.2024 ora 12:00 në GJKKO nga gjyqtarja Elsa Ulliri.
Ditën e nesërme në seancë do të marrin pjesë edhe banorë të fshatit Lumas Kuçovë të cilët qëndruan të vendosur për të çuar në fund betejën e tyre ligjore kundër të pandehurit Hajdari.
Lini një Përgjigje