
Gjykata e Lartë do të shqyrtojë nesër rekursin e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të cilët kanë kundërshtuar masën e sigurisë të dhënë ndaj tyre, lidhur me hetimet e SPAK për CEZ/ DIA dhe lobimin në SHBA të LSI-së.
Seanca e rekursit të Metës do të nisë në orën 10:00 paradite dhe çështja do të shqyrtohet nga trupi gjykues Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024 dhe ndodhet në qeli dhe së bashku me ish-bashkëshorten Monika Kryemadhi po hetohen nga SPAK për tre akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Ndaj Kryemadhit, u vendos masa e sigurisë, 'detyrim paraqitje'.
Për Metën, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit kanë lënë në fuqi masën e “arrestit në burg”, duke bërë që Meta prej afro 4 muajsh të mbahet i izoluar në paraburgimin “Jordan Misja” në kryeqytet apo siç njihet ndryshe 313-ta.
Edhe Kryemadhi me masë sigurie “detyrim paraqitje” ka depozituar rekurs duke e etiketuar masën të paligjshme. Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe hetim pasuror për familjen e tyre.
Kujtojmë se, në kërkesën e tij kreu i PL Ilir Meta këmbëngul se jo vetëm nuk ka prova për akuzat ndaj tij, nuk është i rrezikshëm dhe nuk e dëmton procesin e hetimit, por që edhe po pengohet si kryetar i Partisë së Lirisë për zgjedhjet. Nuk dihet nëse Gjykata e Lartë do ta lirojë ish-presidentin nga qelia dhe do të ndryshojë masën e sigurisë.
Lini një Përgjigje