Pas një periudhe disa mujore, avokati Sokol Mëngjesi është paraqitur sot në GJKKO për të përfaqësuar kryedemokratin Sali Berisha.
Mëngjesi u dhunua brutalisht nga 4 persona më 29 Maj të këtij viti. Këtë sulm e porositi 58 vjeçari Dritan Nano. Siç u mësua asokohe, arsye dyshohet se ka qenë një çështje ligjore.
Mëngjesi ka qenë përfaqësues në një proces civil për trashëgimin e një prone në Tiranë. Procesi është fituar nga ai, por dyshohet se Nano nuk ka pranuar të plotësojë kushtet ligjore të kontratës që kishte me të.
Pasi qëndroi 6 ditë i intubuar te “Trauma”, Mëngjesi u dërgua në Athinë për një kujdes mjekësor më të specializuar. Siç duket ai tani është në gjendje të mirë shëndetësore, pasi i është kthyer punës.
Ndërkohë Gjykata e Posaçme shtyu për më 25 nëntor seancën paraprake ndaj Berishës. Avokatët kanë kërkuar pavlefshmëri, pasi sipas tyre gjykata kishte caktuar seancën pa respektuar një afat 10 ditor të njohjes së tyre me aktet e dosjes.
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi kanë zgjedhur të mos paraqiten personalisht dhe po përfaqësohen me avokatë në sallën e gjyqit.
Sali Berisha akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Jamarbër Malltezi akuzohet për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Fatmir Bektashi akuzohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Lini një Përgjigje