
Pas kaosit të krijuar në Aeroportin e Brindisit me dhjetëra pasagjerë shqiptarë të bllokuar, situata ka marrë zgjidhje.
Rreth 400 pasagjerë që udhëtonin nga Bergamo dhe Bologna drejt Tiranës, përmes fluturimeve të kompanisë Wizz Air, u detyruan të devijonin në Itali për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në aeroportin “Nënë Tereza” në orët e para të mëngjesit të 7 janarit.
Prej mëngjesit, tensioni ka qenë i lartë në ambientet e aeroportit të Brindisit. Burime aeroportuale raportojnë se avionët kishin qëndruar për një kohë të gjatë në hapësirën ajrore shqiptare, në pritje të lejes për ulje, por për shkak të motit të keq dhe karburantit të ulët, u devijuan drejt Italisë. Në Brindisi, udhëtarët janë përballur me mungesë informacioni dhe komunikimi nga kompania, çka çoi në protesta dhe tensione. Një grup pasagjerësh madje thyen portat e sigurisë dhe hynë në pistë për të kërkuar shpjegime.
Ndërhyrja e forcave të rendit italiane dhe angazhimi i autoriteteve aeroportuale e përshkallëzuan situatën në një emergjencë të menaxhuar me vështirësi. Sipas Aeroportit të Pulias, fillimisht u ofrua mundësia për rikthimin e pasagjerëve në aeroportet e nisjes, por shqiptarët e bllokuar e refuzuan këtë opsion, duke kërkuar zgjidhje direkte drejt Tiranës.
Për këtë situatë ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili bëri të ditur se është gjetur zgjidhje për transportimin e pasagjerëve drejt Shqipërisë.
“Ka marrë një zgjidhje halli i rreth 350 pasagjerëve, të cilët udhëtonin nga Bergamo dhe Bologna drejt Aeroportit të Rinasit, të cilët mbetën të bllokuar në aeroportin e Brindisit. Është organizuar transportimi me autobus nga aeroporti i Brindisit në Port dhe më pas drejt Shqipërisë. Kompania Wizz Air duhet të respektojë siç duhet të Drejtat e Pasagjerit!!!”, shkruan Balla.
Lini një Përgjigje