TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Gusht 2025, 12:45

29 vatra zjarri aktive, përkeqësohet situata tek Syri i Kaltër dhe Mali i Sopotit

Shkruar nga Pamfleti

29 vatra zjarri aktive, përkeqësohet situata tek Syri i Kaltër

Shqipëria vijon të përballet me flakët që e kanë ‘pushtuar’ prej ditësh nga veriu në jug. Në 24 orët e fundit, janë raportuar 57 vatra zjarri, nga të cilat 29 mbeten aktive njofton ministria e Mbrojtjes.

Në qarkun Vlorë, përpjekjet janë përqendruar në disa vatra problematike, përfshirë Syrin e Kaltër, ku operojnë mbi 200 forca nga zjarrfikësit, ushtria e bashkitë, 11 automjete zjarrfikëse dhe 10 automjete transporti të FA-së. Zjarri në malin e Sopotit që kaloi nga Delvina drejt Gjirokastrës vazhdon aktiv por nën kontroll, ndërkohë që vatra të tjera mbeten aktive në fshatrat Pecë, Sirikat, Kardhikaq të bashkia Finiqit, Kuç të Himarës dhe Brataj të Selenicës.

Në qarkun Dibër, në zonën e mbrojtur të Malit me Gropa, forcat janë përqendruar në monitorim të situatës. Vatra me intensitet të lartë janë regjistruar edhe në fshatin Tërnovë, ku flakët që po zhvillohen në disa fronte po përhapen nga era. Aktualisht operojnë forca të MZSH, pyjore, bashkiake dhe ushtria, duke arritur të mbajnë larg rrezikun nga banesat.

Në qarkun Berat, situata më kritike është në fshatin Plashnik të Poliçanit, dhe Zona e Mbrojtur “Rezervati i Menaxhuar Balloll”. Në Plashnik, ku për shkak të erës dhe flakëve të forta janë rrezikuar banesa në disa lagje, dje janë evakuuar 20 banorë. Janë angazhuar 4 helikopterë, dy të Emirateve të Bashkuara Arabe. Zjarre të tjera ka në Zhapokikë, Velçan, Orizaj, Vokopolë dhe afër qytetit të Poliçanit, të cilat po mbahen në monitorim ose janë vendosur nën kontroll.

Në qarkun Elbasan, situata më serioze është në fshatin Kullollas të Gramshit, ku janë angazhuar mbi 200 forca tokësore dhe ajrore, përfshirë helikopterë dy çekë dhe sllovakë. Zjarret në Kodovjat dhe Sojnik janë izoluar dhe nuk paraqesin rrezik për banesa. Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.

Në qarkun Tiranë, ka vatra në malin e Bërzhitës në fshatin Ibë, në Damjan-Fortuzaj, Isufaj, Ferraj dhe Zall-Herr të bashkisë Tiranë, si dhe në fshatrat Spanesh dhe Kazie të bashkisë Rrogozhinë. Pjesa më e madhe e tyre janë vënë nën kontroll falë ndërhyrjes së forcave të MZSH-së, policisë dhe strukturave të tjera, por terreni i vështirë ka penguar ndërhyrjen e mjeteve në disa raste.

Në qarkun Gjirokastër, përpjekjet vazhdojnë për shuarjen e zjarrit të ardhur nga Finiqi në territorin e Dropullit, si dhe në drejtim të fshatrave Dhuvjan, Lugar dhe Frashtan. Në Hormovë të Tepelenës dhe majën e Golikut vazhdon monitorimi. Po ashtu, në malin e Sopotit ka zjarre afër antenave të RTSH-së, por situata po mbahet nën kontroll.

Në qarkun Shkodër, në zonën malore të Fushë Arrëzit (fshati Xath), zjarri ka rrezikuar zonën e Trunit dhe majën Kunor Dardhës. Pavarësisht terrenit të thyer, po operohet nga toka dhe ajri me ndihmën e helikopterëve të FA.

Në qarkun Kukës, një vatër e rrezikshme ka përfshirë zonën pyjore të Parkut Natyror Korab-Koritnik në fshatin Bele. Forcat po punojnë për izolimin e zjarrit në një zonë me rëndësi të veçantë mjedisore.

Në qarkun Korçë, zjarri në fshatin Gërmenj të Kolonjës ka përfshirë një sipërfaqe me pisha. Puna është vështirësuar nga shpërthimet e municioneve të vjetra në zonë, ndërkohë që janë angazhuar forcat operacionale dhe makineri për hapjen e rrugëve dhe brezave mbrojtës.

Në total, për përballimin e situatës janë angazhuar 1,143 forca tokësore, 409 efektivë të Forcave të Armatosura, 65 automjete zjarrfikëse, 23 mjete ushtarake, si dhe 3 helikopterë të FA-së. Përforcime ka pasur me 7 helikopterë dhe 1 avion Canadair nga Italia.

Lini një Përgjigje