TAGS-AT E JAVËS

Sport26 Prill 2023, 18:32

Zgjedhjet shtyjnë derbin e kryeqytetit, ja kur do të luhet supersfida Tirana-Partizani

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet shtyjnë derbin e kryeqytetit, ja kur do të luhet  supersfida

Derbi Tirana-Partizani do të shtyhet. I parashikuar për t’u luajtur më 14 Maj, ditën e zgjedhjeve lokale, Policia e Shtetit ka njoftuar Federatën e Futbollit se nuk do të jetë në gjendje të sigurojë mbarëvajtjen e ndeshjeve të futbollit për shkak të impenjimit të forcave policore në sigurimin e qetësisë në procesin e votimit.

Burime pranë FSHF, pranuan për “Tv Klan” se po mendojnë datën 16 ose 17 Maj për zhvillimin e ndeshjeve të javës së 33 të Superligës.

Deri atëherë te Partizani do të jenë në ankth. Klima në klubin e kuq nuk është e qetë. Lëkundjet në rezultate, madje edhe brenda një takimi, e kanë bërë skuadrën të ketë dyshime në çdo ndeshje, ku ndaj çdo kundërshtari, cilido qoftë, mbizotëron më së shumti pasiguria.

Edhe në ambientet e brendshme të klubit e kanë të vështirë të shpjegojnë se ku çalon puna. Këto statistika negative kanë sjellë nevojën e një përqendrimi më të madh.

Këtë të shtunë të kuqtë do të udhëtojnë drejt Durrësit për të luajtur me Erzenin, skuadër të cilën e vlerësojnë maksimalisht si të rrezikshme. Më pas do të presin Kukësin.

Një pikë e lënë në këto ndeshje do të thoshte dalje nga gara për titullin. “Tv Klan” mëson se drejtuesit dhe stafi shpresojnë te fitorja në dy ndeshjet e radhës dhe më pas të shkurtojnë distancën me Tiranën në derbi. Sfida direkte me bardheblutë, e fundit për këtë sezon, do të jetë përcaktuese.

derbi i kryeqytetit fshf tirana-partizani

Lini një Përgjigje