Futbolli botëror u ndal të martën, më 12 dhjetor, me sulmin brutal që arbitri turk Umut Meler mori pas përfundimit të duelit mes Ankaraguçu dhe Rizesporit. Reagimet e universit të futbollit nuk vonuan të mbërrinin, të gjithë të shtangur nga ajo që ndodhi dhe pa e besuar dot si diçka e tillë vazhdon të ndodhë.
“Halil Umut Meler është një arbitër i mirë dhe një person i mirë. As arbitri dhe as njeriu nuk e meritonin të përjetonin përvojën që pati në Ankara. Ai po bënte punën e tij kur u sulmua në fushën e lojës, në fund të një ndeshjeje.
Imazhi i Umut i shtrirë në tokë, me duart që ia mbronin kokën, ndërsa sulmuesit e shkelmuan, si dhe ai i mavijosjes nën sy, janë të tmerrshme”, – shprehet ish-arbitri i shquar italian, Pierluixhi Kolina.
Ky i fundit, drejtues i sektorit të arbitrave të futbollit në FIFA, ka dashur të shprehë shqetësimin e tij për atë që ndodhi në Ankara, duke e cilësuar si kancer llojin e veprimit të presidentit turk, i cili në fund u arrestua nga policia turke.
Megjithatë, ish-arbitri karizmatik nuk ka dashur të injorojë faktin se këto lloj veprimesh i pësojnë mijëra të tjerë në mbarë botën: “Shumica dërrmuese e tyre janë arbitra të rinj në fillim të karrierës së tyre.
Makinat e tyre nuk mund të bombardohen apo digjen për shkak se nuk dhanë një penallti, fjala vjen. Dhe më e keqja, kjo nuk është një ekzagjerim. Është përgjegjësi e të gjithëve që të veprojnë dhe të bëjnë diçka para se të jetë tepër vonë, përpara se ky kancer të shkatërrojë futbollin”.
Lini një Përgjigje