
Edhe pse e mbylli pjesën e parë në avantazh, Italia në fund është mundur 1-4 nga Norvegjia në sfidën e luajtur në “San Siro”, e fundit për këto kualifikuese të Kupës së Botës.
“Axurrët” gjetën avantazhin që në minutën e 10, ku Françesko Pio Espozito dërgoi topin në rrjetë pas një asisti të marrë nga Federiko Dimarko. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për vendasit.
Në pjesën e dytë erdhi përmbysja e madhe e norvegjezëve. Antonio Nusa barazoi fillimisht shifrat në minutën e 62, me një goditje të fuqishme brenda zonës.
Erling Haland shënoi dy gola për dy minuta 77 dhe 79, fillimisht me një goditje të bukur me të majtën pas asistit perfekt të Oskar Bob, dhe golin e dytë pas asistit të Torsbi. Jorgen Strand Larsen i futur në fushë në minutat e fundit në vendin e Haland vulosi fitoren 1-4 për norvegjezët, të cilët i mbyllin këto kualifikuese me pikë të plota, 24 pikë në 8 ndeshje. Nordikët kualifikohen për herë të parë pas 28 vitesh në Botëror, pasi hera e fundit që ata kanë marrë pjesë në një Kupë Bote ka qenë në vitin e largët 1998.
Italia mbetet në vendin e dytë dhe do të kërkojë biletën për në Botëror përmes “play-off”-it.
Dueli tjetër i grupit I, mes Izraelit dhe Moldavisë përfundoi me rezultatin 4-1.
Lini një Përgjigje