TAGS-AT E JAVËS

Sport15 Janar 2026, 16:53

Ish-trajneri i Kukësit rrëfen episodet: Kampionati shqiptar është më i korruptuari në botë

Shkruar nga Pamfleti

Ish-trajneri i Kukësit rrëfen episodet: Kampionati shqiptar

Diego Longo nuk është përmbajtur në një intervistë të gjatë për “Gazzeta Dello Sport”, ku ka kritikuar ashpër kampionatin shqiptar në të tre etapat e tij në vendin tonë.

Ai nuk është kursyer, duke e cilësuar si kampionatin më të korruptuar në botë, me episode nga më të ndryshmet, duke u ndalur te një i tillë kur drejtonte Kukësin, për një ndeshje të luajtur kundër Partizanit. Trajneri italian nuk harroi të përmendte as Safet Gjicin dhe skandalin seksual të ish-kryebashkiakut të Kukësit, duke u shprehur në mënyrën më negative të mundshme për eksperiencën e tij në vendin tonë.

Në vijim, fragmentet ku ai përmend Shqipërinë në intervistën e tij:

Kur e bëtë kalimin nga asistent në trajner?

Pas përvojës sime në Ukrainë, te Dinamo Kiev. Ishte viti im i fundit si asistent, vendosa që kishte ardhur koha. Ishte viti 2021, dhe unë tashmë kisha një marrëveshje për të shkuar në Arabinë Saudite, por ajo dështoi në minutën e fundit. Rrezikova të humbisja sezonin, kështu që vendosa të shkoja në Shqipëri, te Kukësi.

Si është kampionati shqiptar?

Kampionati më i korruptuar në botë. Marrëdhëniet midis klubeve dhe institucioneve të futbollit apo jo, janë shumë të ndërlikuara. Kam parë shumë gjëra të papranueshme, por ka një episod që i tejkalon të gjitha të tjerat.

A mund të na e tregoni?

Në vitin tim të parë me Kukësin, luajtëm për vendin e fundit që siguronte Europën kundër Partizanit. Ata janë një nga ekipet më të mëdha, ekuivalenti shqiptar i Juventusit dhe kanë një fuqi të jashtëzakonshme. Një ditë para ndeshjes, na morën fushën e stërvitjes, duke thënë se kishin organizuar një ndeshje për ekipin e tyre nën 16 vjeç. Por më e keqja ndodhi të nesërmen. Gjatë ndeshjes, VAR u shkëput për 15 minuta, “probleme teknike” sipas gjyqtarit. Gjatë atij momenti, na u mohuan dy penallti të hapura dhe një penallti e trilluar iu dha Partizanit, i cili fitoi dhe u kualifikua për në Europë. Pas vërshëllimës së fundit, vrapova në dhomën e zhveshjes i tërbuar dhe i thashë presidentit tim se duhej të ngrinte zërin, se situata ishte e papranueshme. Ai, i cili ishte edhe kryetar bashkie i një qyteti shqiptar në atë kohë, u përgjigj: “Nuk ke pse të zemërohesh, ne jemi në rregull kështu’. Ai u arrestua një vit më vonë.”

Pse?

Skandal seksual: i vendosën një kamerë në zyrën e tij dhe videoja madje përfundoi në YouTube. Mendoj se mund të gjendet ende.

Por aventura juaj në Shqipëri vazhdoi…

Fillimisht te Flamurtari dhe pastaj te Teuta. E udhëhoqa ekipin, i cili nuk po shkonte mirë, drejt fazës “play-off“ për Superioren, por e humbëm ndeshjen për shkak të një gabimi të portierit në minutën e fundit. Pas Teutës, ku nuk kishte ambiente apo akademi futbolli, u largova dhe u ktheva në Itali.

Në Serinë C, te Sestri Levante…

Ishte si të kthehesha në Shqipëri: nuk kishte dëshirë për të bërë atë hap përpara.

diego longo ish-trajneri i kukësit safet gjici

Lini një Përgjigje