
Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë është në gjendje të rënduar dhe ndeshja mes Ballkanit dhe Viktoria Plzen, e vlefshme për raundin e 5 në grupet e Ligës së Konferencës do zhvillohet në “Air Albania” të Tiranës.
Komisoni i Garave në UEFA nuk e ka pranuar gjendjen e fushës në Prishtinë dhe kampionët e Kosovës kanë vendosur që ta luajnë në Tiranë ndeshjen e radhës. Kësisoj, të enjten e datës 30 nëntor në orën 18:45, stadiumi “Air Albania” do mirëpresë ndeshjen Ballkani-Viktoria Plzen për grupin C të Ligës së Konferencës
Në këtë grup pas katër ndeshjeve të luajtura, Plzen është në krye me 12 pikë, ndjekur nga Astana dhe Ballkani me katër, dhe Dinamo e Zagrebit me tri pikë.
Kjo do të jetë edhe një rikthim për trajnerin Ilir Daja në kryeqytet, ku ka drejtuar më parë në këtë stadium Partizanin para 3 sezonesh.
Për t’u evidentuar është fakti se finalja e parë e Ligës së Konferencës u zhvillua në “Air Albania” më 25 majin e vitit 2022, me Romën që mundi 1-0 Fejnordin me golin e Zaniolos.

Lini një Përgjigje