Pas një mungese të gjatë nga vëmendja mediatike, Gjesti është rikthyer në ekran me një rrëfim prekës në emisionin “Goca dhe Gra”, ku ka ndarë një nga dhimbjet më të mëdha të jetës së tij.
Në intervistën me moderatoren Ori Nebijaj, artisti foli për herë të parë publikisht për humbjen e vëllait, i cili humbi jetën disa muaj më parë në një aksident tragjik. Ai tregoi se kjo ngjarje e rëndë ka lënë pasoja të thella emocionale dhe ka ndikuar ndjeshëm në mënyrën se si e përjeton jetën sot.
Gjesti pranoi se pas kësaj humbjeje ka nisur të përballet me ankthin, një gjendje që, sipas tij, vazhdon ta shoqërojë ende.
“Jam i thyer në një mijë pjesë. Po mundohem gjithë kohën të dal prej kësaj gjendjeje, dhe me ndihmën e Zotit kam për t’ia dalë. Prej rastit të vëllait unë kam ndryshuar komplet në sjellje e në mendime; kuptova që sot je e nesër nuk je. Filloi ankthi dhe sot jam ende me ankth, ende e vuaj. Në publik dal i qeshur, por brenda jam i thyer,” u shpreh ai.
Artisti tregoi gjithashtu se kjo periudhë e vështirë e ka afruar më shumë me besimin në Zot, duke theksuar se aty ka gjetur forcën për të përballuar dhimbjen.
Sipas tij, familja mbetet arsyeja kryesore që e motivon të vazhdojë përpara dhe të luftojë çdo ditë me veten.
“Ajo gjendje më ka kthyer në rrugë të Zotit, sepse e vetmja zgjidhje është ajo. Motivi për të jetuar dhe për të punuar për familjen më bën të çohem. Qëllimi im kryesor tani është se si të bëhem një njeri i mirë, sepse kjo qenka e vështirë. Vëllai im është në vend të vet, e di që është në vend të sigurt… çdo gjest e çdo gjë që flas, ai më shkon në mendje, kemi qenë shumë të lidhur.”
Në fund të intervistës, Gjesti foli edhe për pengjet që ka pas humbjes së vëllait. I pyetur nëse ka diçka për të cilën ndjen pishman, ai u përgjigj me sinqeritet se do të donte të kishte qenë më i butë ndaj tij dhe t’ia kishte plotësuar më shumë dëshirat.
“Ndoshta nuk do t’i kisha bërtitur asnjëherë, do të duhej t’ia plotësoja edhe më shumë qejfin, por Zoti lart e di më së miri,” përfundoi ai.
Lini një Përgjigje