Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka reaguar ndaj akuzave të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke i quajtur ato si një “cirk” dhe “budallallëk”.
Vuçiç i bëri komentet gjatë një vizite në Republika Srpska, në Bosnjë e Hercegovinë, ku ai e përgënjeshtroi pretendimin e Kurtit se Beogradi zyrtar është duke planifikuar zhvendosjen e serbëve nga Kosova, veçanërisht nga veriu, në Sanxhak.
“Serbët nga Kosova do të qëndrojnë në Kosovë, përkundër dëshirës së Albin Kurtit, Nenad Çanakut dhe Sonja Biserkos dhe shumë të tjerëve që serbët nga Kosova të zhduken”, tha Vuçiç.
Sipas raportimeve, gjatë një takimi të fundjavës me përfaqësues të shoqërisë civile dhe politikës serbe, Kurti u informua për një plan të pretenduar për zhvendosjen e serbëve dhe kërkoi që të ndërhyjë për të parandaluar një skenar të tillë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një takim me Sonja Biserkon, themeluesen dhe presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, u njoftua se Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak.
Bashkë me të në takim ishin dhe Nenad Çanak, politikan serb, bashkëthemelues dhe ish-udhëheqës i partisë së qendrës së majtë, Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës, si dhe Mark Baskin, profesor dhe drejtor i Qendrës për Dialog Humanitar.
Gjatë takimit, Biserko, Çanak dhe Baskin e njoftuan kryeministrin se po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta. Ata apeluan te Kryeministri Kurti që të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë.
Kryeministri Kurti ritheksoi rëndësinë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht përfshirjen e komunitetit serb në të gjitha aspektet e ekonomisë dhe shoqërisë.
Lini një Përgjigje