
Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë sot për RTK-në se Serbia po përpiqet të ekzekutojë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës ka qenë mbrëmjen e djeshme për vizitë në Shkup dhe menjëherë ka pasur masa të shumta sigurie ndaj tij.
RTK referuar burimeve, thekson se kryeministri Kurti ishte kërcënuar me vrasje.
“Menjëherë janë bërë grupe të përbashkëta pune, të cilat kanë qenë të dislokuara në gjithë Shkupin dhe veçmas në perimetrin e lokacionit ku ka qëndruar Kurti”, thekson burimi.
Po ashtu, thuhet se në kuadër të planit terrorist serb, për këtë tentativë vrasje ndaj Kurtit akuzohet lideri opozitar serb, Dragan Gjilas.
“Sulmi ka mundur të duket sikur sporadik, gjoja nga ekstremi i djathte serbo-maqedonas. Informacioni ka ardhur si inteligjencë në disa burime, si nga burimet e fshehta njerëzore, ashtu edhe nga burime të hapura, siç janë kanalet serbe në platformën ruse Telegram. Njëri kanal ‘KORIDOR’ i takon organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’, kurse tjetri ‘BUNT’ i takon ekstremit të djathtë serb. Që të dyja, kontrollohen nga shërbimet e inteligjencës serbe”, thekson burimi.
Sipas tij, institucionet e sigurisë në vazhdimësi i kanë marrë seriozisht kërcënimet që vijnë nga rrjete të veçanta sociale, gjë që është dëshmuar edhe me sulmin terrorist në Banjskë, ku u paralajmërua sulmi që u bë më 24 shtator 2023.
“Plani serb është zgjedhur që të realizohet në Shkup, edhe për shkak të pranisë shqiptare, ku më pas do të mund të interpretohej si pastrim hesapesh mes shqiptarëve”, shton më tej burimi.
Lini një Përgjigje