TAGS-AT E JAVËS

Kosova20 Maj 2023, 19:30

Osmani takim me Escobar: Të parandalohen përpjekjet e Serbisë për të minuar zbatimin e marrëveshjeve

Shkruar nga Pamfleti

Osmani takim me Escobar: Të parandalohen përpjekjet e Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Mal të Zi ku mori pjesë në betimin e presidentit të ri Jakov Milatoviç, ka zhvilluar një takim me të dërguarin e posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas Presidencës së Kosovës, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon, me fokus të veçantë për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë të arritura në Bruksel dhe Ohër.

Presidentja Osmani është shprehur se Kosova përbën palë konstruktive, duke theksuar se zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë i plotë, ndërkohë që duhen parandaluar përpjekjet e Serbisë për të minuar zbatimin e tyre.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës është pajtuar me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, si tërësi dhe pa parakushte të cilat synojnë përqendrimin vetëm në një nen apo në një pjesë të marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ajo gjithashtu ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe garancinë e tyre që i gjithë procesi të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në funksion të ruajtjes se funksionalitetit të shtetit dhe përshpejtimit të integrimit ndërkombëtar të vendit tonë.

osmani escobar serbi

Lini një Përgjigje