Thellohen divergjencat mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit. Që pas përplasjeve të kryeministrit kosovar me ndërkombëtarë muaj më parë, u duk një lloj ndryshimi kursi nga presidentja, por sot është treguar hapur se raportet mes tyre nuk janë më si dikur.
Dje ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE, duke nënvizuar qartë angazhimin e Prishtinës, për të nisur me formimin e asociacionit brenda muajit maj.
Por për Osmanin kjo letër nuk është konsultuar aspak. Ajo e ka bërë të qartë se nuk mbështet aspak veprime të njëanshme.
“Letra e djeshme e Qeverisë së Kosovës dërguar në KIE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Osmani. Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve”, ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.
Ai ka thënë se kjo letër mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve, por jo me Presidencën.
“Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione. Presidentja Osmani gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi”, vijoi ai
Po ashtu ai ka theksuar se Presidentja Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ministrja Donika Gërvalla, në letrën drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft-statut për Asociacionin të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.
“Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Euvropës”, njoftonte Gërvalla.
Lini një Përgjigje