
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, u bëri thirrje serbëve nga veriu i vendit që t’i “bojkotojnë plotësisht” zgjedhjet lokale, të planifikuara për të dielën
Të dielën në veri të Kosovës do të mbahen zgjedhje në 4 komunat që u bojkotuan nga serbët. Pavarësisht presioneve nga Serbia dhe tentativave për të bllokuar procesin, më 23 prill, do të votohet për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Po ashtu do të mbahen dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.
Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilëve vetëm një nga komunitetit serb. Lista Serbe ka bojkotuar procesin duke nxitur në këtë mënyrë më shumë konflikt.
Në fund të vitit që lamë pas, mbajtja e zgjedhjeve solli tensione e përplasje, gjë që solli shtyrjen e tyre. Edhe të dielën ekziston frika e tensioneve prandaj ndërkombëtarët janë sy e veshë. SHBA e ka bërë të qartë se nuk pranohet bojkoti, prandaj do të njihet rezultati sido që ai të jetë, edhe pse mungon Lista Serbe. Po ashtu ka paralajmëruar serbët që të heqin dorë nga tentativat bllokuese.
“Të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do ta vëzhgojnë këtë proces nga afër”, tha ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ndërsa Bashkimi Evropian tha se Kosova dhe Serbia e kanë detyrë që ta bëjnë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në pushtetin lokal, policinë dhe gjyqësorin dhe njëkohësisht të bien dakord për një rrugë përpara që është gjithëpërfshirëse, e drejtë demokratike dhe paqësore.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ripërsëriti zhgënjimin e vendeve anëtare të BE-së për mos pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e parapara për 23 Prill në katër komunat në pjesën veriore, por kërkoi nga të dyja palët që të tregojnë përmbajtje.
“Është shumë zhgënjyese që Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore, pavarësisht se zgjedhjet janë shtyrë nga dhjetori në prill dhe afati për kandidaturat është shtyrë gjithashtu. Sigurimi që zgjedhjet të zhvillohen në kushte paqësore është thelbësore dhe BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje”, tha Stano
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit dhe shmangien e tensioneve.
“Policia e Kosovës synon krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve. Garantimi i së drejtës së votës, mbrojtja e jetës dhe pronës, parandalimi i dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin, si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, etj.
Ky plan parasheh që Policia e Kosovës të angazhohet në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme për qytetarët dhe vendin, për t’u mundësuar ushtrimin e lirë të së drejtës së votës të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve të Kosovës - u bëri thirrje serbëve nga veriu i vendit që t’i “bojkotojnë plotësisht” zgjedhjet lokale, të planifikuara për të dielën, më 23 prill.
Në deklaratë thuhet se kjo parti i bën thirrje “të gjithë popullit serb” që të qëndrojë i qetë të dielën dhe të mos bjerë në “provokimet e regjimit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti”, qëllim i vetëm i të cilit, siç tha, është “dëbimi i serbëve nga veriu”.
Në deklaratën e saj, po ashtu, thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “dëshiron t’i pushtojë komunat e veriut të Kosovës” përmes “kryetarëve pushtues”.
Për zgjedhjet ka folur edhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç. Ajo tha se po vajton demokracinë në Kosovë ndërkohë që tha se ato po mbahen me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.
“Zgjedhjet janë muzgu i fundit i demokracisë dhe çdo pamje të sundimit të ligjit në territorin e Kosovës dhe Metohisë pasi që janë drejtuar nga institucionet e përkohshme në Prishtinë, me ndihmën e përzemërt të bashkësisë ndërkombëtare. Madje jam disi e lumtur, sepse më në fund është fundi i një sharade që ne e kemi parë për disa vite më herët”, tha Bërnabiç.
Ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiç, vlerësoi se në zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë”.
Ai tha se “njerëzit nga Perëndimi” po bëjnë “cirk”, sepse mendojnë se mund t’i bëjnë me forcë serbët që ta duan Kosovën e pavarur, duke i detyruar ata të marrin pjesë në zgjedhje.
Sipas tij, askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar.
Ai tha se “serbët do të mbijetojnë në Kosovë” dhe se “do të vazhdojnë ta duan të vetmin shtet që kanë, e që është Serbia”.
Po ashtu në sulm është hedhur dhe Ivica Daçiç, i cili ka pasur një takim me ambasadorin e OSBE. /Pamfleti
Lini një Përgjigje