TAGS-AT E JAVËS

Kosova12 Tetor 2025, 19:00

Mbyllet votimi për krerët e komunave në Kosovë, ja sa ishte pjesëmarrja e përgjithshme

Shkruar nga Pamfleti

Mbyllet votimi për krerët e komunave në Kosovë, ja sa ishte

Qendrat e votimit në Kosovë janë mbyllur. Pjesëmarrja e përgjithshme ishte 32.85% sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kosova ka mbajtur sot zgjedhjet për 38 kryetarët e Komunave dhe 942 anëtarët e Kuvendeve Komunale, ku 2.025.105 votues kanë pasur të drejtë vote.

Numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.

Votuesit kishin për të plotësuar dy fletëvotime: një për kryetarin e komunës dhe një tjetër për kandidatin për kuvendin komunal, duke shënuar numrin e kandidatit dhe subjektin politik me të cilin ai garon.

Të gjitha qendrat e votimeve janë hapur në orën 07:00.

KQZ ka nisur që ditën e djeshme shpërndarjen e materialeve zgjedhore në Qendrat Komunale të Numërimit.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor u angazhuan institucionet si Policia, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.

Mirëpo, procesi u shoqërua me 8 incidente, por nuk pati të arrestuar.

Ndërkohë misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë lirshëm dhe pa ndikime të jashtme.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje ishte 93, nga të cilat 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike është 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5,419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Procesi zgjedhor zhvillohet për të zgjedhur 38 kryetarët e Komunave dhe 942 anëtarët e Kuvendeve Komunale.

 

 

Lini një Përgjigje