
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla ka folur lidhur me masat e ndërmarra nga BE kundër Kosovës, e cila i cilësoi si të panevojshme duke theksuar se ato përcjellin mesazh të rrezikshëm.
Blloku evropian kanë paralajmëruar se këtë javë do të komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.
“Ne mendojmë që masat e tilla janë të panevojshme për shkak se është shumë e rëndësishme që në një situatë të tillë në të cilën ndodhemi, mesazhi t’i dërgohet qartë dhe pa asnjë mundësi për keqkuptim atyre të cilët i kanë krijuar trazirat në pjesën veriore të Kosovës, në katër komunat tona”, tha Gërvalla.
Kryediplomatja kosovare u shpreh se këto vendime të Brukselit po përçojnë mesazhe të rrezikshme në Beograd.
“Personalisht mendoj që mesazhe të tilla janë të rrezikshme sepse mund të krijojnë përshtypjen te presidenti serb Aleksandër Vuçiç mund të vazhdojë me të njëjtën mënyrë, të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe gjithë fqinjët e tjerë që ka rreth e rrotull”, u shpreh Gërvalla.
Në mesin e masave ndëshkuese pritet të jetë pezullimi i punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). Po ashtu, është paralajmëruar se do të pezullohet financimi i programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike.
Zyrtarët evropianë kanë thënë se këto masa nuk janë marrë me lehtësi dhe ato mund të hiqen në rast se Kosova ndërmerr hapa drejt shtensionimit të situatës.
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur që nga fundi i majit. Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë, që u zgjodhën më 23 prill, në votimet që u bojkotuan nga popullata serbe.
Lini një Përgjigje