
Qeveria e Kosovës ka pranuar kërkesat e BE për uljene tensioneve në Veri. Prishtina ka rënë dakord të zvogëlojë praninë policore dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Zgjedhjet pritet të mbahen në vjeshtë.
Të gjitha hapat, sipas Qeverisë së Kosovës, do të "finalizohen brenda një periudhe dyjavore".
Ky pajtim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Sipas njoftimit të Qeverisë, prania policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri do të zvogëlohet menjëherë me 25 për qind.
Po ashtu, Policia e Kosovës, së bashku me misonin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe misionin paqeruajtës në NATO-s në Kosovë, KFOR, sipas nevojës do të bëjnë vlerësimin e gjendjes së sigurisë "në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlimin e mëtejmë të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale", njoftoi ekzekutivi.
"Qeveria e Kosovës një ditë pas dakordimit me BE-në për uljen e tensioneve në veri të Kosovës ka zbardhur katër pikat për depërshkallëzim të situatës.Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale. Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale. Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve. BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes", tha Qeveria e Kosovës.
Edhe BE-ja ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë për pikat me të cilat është pajtuar me Kosovën.
“Këtu përfshihet zvogëlimi i menjëhershëm i pranisë së policisë në dhe përreth ndërtesave të komunave, kryerjen e vlerësimeve të rregullta të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe KFOR-in sipas nevojës, shqyrtimi i mundësisë për zvogëlimin e mëtejmë të pranisë dhe që të mos bëhet asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën dhe të inkurajohen zgjedhjet e jashtëzakonshme, sikurse edhe krijimi i bazës ligjore për to”, tha BE
Sa i përket takimit mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, ai do të mbahet javën e ardhshme.
Lini një Përgjigje