
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se problemi që lindi mes Qeverisë së Kosovës dhe ndërkombëtarëve lidhur me dinarin serb qëndron tek mënyra se si u komunikua.
Për këtë arsye, në një intervistë për median arabe “Al Aan”, ajo sugjeroi bisedime me aleatët perëndimore, me qëllim arritjen e një dakordësie rreth kësaj çështjeje. Osmani u shpreh e sigurt se do të zgjidhet çështja e dinarit, ndërsa u ndal edhe në sulmin e Banjskës.
“Këto dëshmi janë konfirmuar nga aleati ynë më i rëndësishëm, dhe janë ndarë me shtetet anëtare të NATO-s. Gjithçka çon te Vuçici. S’po flasim te humbja e tij e kontrollit ndaj disa bandave. Po flasim për të se ka organizuar e urdhëruar sulmet nëpërmjet bandave. Të gjithë e dinë, kam pritur në zyrë shumë liderë e ma kanë konfirmuar këtë”, tha Osmani.
Sipas saj, çdo shtet e vendos vetë se si do t’i përdorë këto dëshmi. Për hetimet vendore, ajo tha se një pjesë e tyre është publikuar, dhe për tjetrën do të vendosë Policia.
“Të gjitha dëshmitë janë aty për ata që duan t’i shohin. Por, ka disa shtete që s’duan t’i përdorin e të tjerat që duan t’i injorojnë”, tha Osmani në intervistën për median arabe.
Lini një Përgjigje