TAGS-AT E JAVËS

Kosova24 Shtator 2023, 19:57

Sulmi në Veri, Kurti i sigurt: Policia u përball me një grup kriminal të financuar nga Beogradi

Shkruar nga Pamfleti

Sulmi në Veri, Kurti i sigurt: Policia u përball me një grup

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se grupi që sulmoi policinë e Kosovës është financuar dhe mbështetur drejtpërdrejt nga Beogradi.

Në një deklarim për mediat, ai tha se bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, që sulmin e ka planifikuar shumë gjatë.

Procesi në vijim do të na japë më shumë të dhëna se kush janë këta, si hynë në Kosovë dhe kush ka dhënë urdhër. Çfarë kemi mësuar, është që bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal që ka planifikuar gjatë këtë sulm. Ata nuk paraqesin një bandë të kontrabandës por një strukturë mercenare që është e përkrahur politikisht e financiarisht nga Beogradi zyrtar”, ka thënë ai.

Deklarata e tij u bënë pas vizitës në familjen e policit të ndjerë, i cili u qëllua për vdekje mëngjesin e sotëm.

Falënderoj të gjithë qytetarët që kanë ardhur këtu për të bërë nderime për policin e vrarë. Urojmë që ky të jetë rasti i fundit, në rrugën e vështirë për ligj dhe drejtësi”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha se rruga e shtetit ligjor, rruga e kushtetutshmërisë dhe e ballafaqimit me kriminelet e terroristët është rrugë që duhet të ndiqet nga secili prej nesh dhe të gjithë bashkë deri në ngadhënjimin përfundimtar të shtetit të Kosovës, të Republikës sonë të pavarur.

Policia e Kosovës është ajo që ju informon nga të dhënat nga terreni, por ajo që tashmë dihet është se kemi të vrarë edhe pjesëtarë të atij formacioni profesionist, ushtarak a policor të huaj që kreu sulmin terrorist dhe vrau mizorisht Afrimin. I kemi edhe të plagosur, kemi edhe tre të vrarë, dhe gjithashtu të arrestuar. Besoj që procesi në vijim do të na japë më shume të dhëna, se kush saktësisht janë këta, si hynë në Kosovë dhe kush janë urdhërdhënësit, e dirigjuesit e kësaj përpjekje të dështuar për ta destabilizuar shtetin e Kosovës”, tha Kryeministri i Kosovës.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë para mediave se terroristët do të përballen me ligjin.

Kam qenë në komunikim me prokurorinë për të dhënë mbështetjen, deri tani ka bashkëpunim institucional për veprimet sipas ligji ndaj kriminelëve”, ka deklaruar ajo. Haxhiu ka theksuar se aktet e tilla nuk duhet të tolerohen.

Lini një Përgjigje