Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i ka dërguar një letër presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ku e inkurajon Serbinë të marrë veprime proaktive në lidhje me dialogun me Kosovën.
Biden thekson se për Serbinë nuk ka normalizim të shpejtë dhe të ardhme të suksesshme pa pranaur kompromiset e nevojshme në dialogun me Kosovën.
“Marrëveshja për normalizim dhe zbatim paraqet hapa kyç drejt një të ardhmeje më paqësore dhe më të suksesshme për Serbinë, rajonin dhe Evropën”, thuhet në letrën e presidentit amerikan.
Në letrën drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për Ditën e Shtetësisë së Serbisë, Bideni ka garantuar se SHBA-ja do të punojë ngushtë me Serbinë e Kosovën dhe Bashkimin Evropian në dialog.
“Me zgjedhjet pas jush, inkurajoj Serbinë të ecë përpara në promovimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe të ndërmarrë hapa proaktivë, duke përfshirë kompromisin kur është e nevojshme, në mënyrë që të normalizohen shpejt marrëdhëniet me Kosovën përmes dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me ju, Prishtinën dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm”, thuhet ndër të tjera në letrën e Bidenit për Vuçiçin, raporton 'N1'.
Presidenti amerikan më tej i ka vënë në dukje se Serbia, nën udhëheqjen e Vuçiçit, i është bashkuar 140 vendeve demokratike të botës në Kombet e Bashkuara që kanë dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë
“Është e rëndësishme që të mbetemi të bashkuar në mbështetjen e Ukrainës dhe ta dënojmë luftën brutale të Rusisë”, vijon letra e tij. / Pamfleti
Lini një Përgjigje