
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me Drejtorin e Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, kanë shkuar për ngushëllim në shtëpinë e policit Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë një sulmi me armë mëngjesin e sotëm.
“Kohën nuk mundemi ta kthejmë prapa, shtëpia qenka plot e tashmë na keni edhe neve”, i është drejtuar Kurti familjarëve.
Zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku u vra në orët e para të së dielës në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur.
Albin Kurti e quajti sulmin si terrorist, duke thënë se krimi ishte i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar i cili po sulmon Kosovën.
Policia po kryen kontrolle të rrepta në Banjskë të Zveçanit ku situata mbetet e tensionuar. Nga pala e sulmuesve janë 3 të vrarë, ndërsa dy prej tyre janë plagosur. Ndërsa 5 prej sulmuesve janë arrestuar.
Gjithashtu, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, është futur brenda Manastirit të Banjskës, ku ndodheshin grupi kriminal serb i armatosur së bashku me dhjetra pelegrinë.
Lini një Përgjigje