
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë nesër një takim zyrtar në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Takimi do të mbahet në selinë e NATO-s dhe është planifikuar të nisë në orën 09:00 të mëngjesit, sipas axhendës së publikuar nga Aleanca Atlantike.
Ky takim vjen në kuadër të vizitës zyrtare të Ramës në Bruksel, ku po merr pjesë në Konferencën e 6-të Ndërqeveritare për procesin e zgjerimit të BE-së. Siç konfirmohet nga burime zyrtare, pas takimit do të mbahet edhe një fjalim i përbashkët mes dy liderëve.
Lëvizja vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, pasi sot Bashkimi Evropian hapi katër kapituj të rinj negociatash me vendin tonë.
Takimi me Rutte shihet si një sinjal i qartë për konsolidimin e pozicionit të Shqipërisë si partner strategjik, si në NATO, ashtu edhe në procesin e integrimit europian.
Rama pritet të diskutojë me shefin e NATO-s edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit, sfidat e sigurisë dhe rolin që Shqipëria ka marrë përsipër në kuadër të angazhimeve euroatlantike.
Lini një Përgjigje