Përfaqësuesi ligjor i PD, Marash Logu, ka paraqitur sot kërkesë me shkrim drejtuar KAS, ku kërkon përjashtimin e anëtarit Ilir Rusmaili.
Në seancën e shkuar PD tha se Rusmaili është në konflikt interesi në shqyrtimin e kërkesave të PD në lidhje me ankimimet për rezultatet e zgjedhjeve në disa qarqe, pasi është këshilltar i Presidentit Bajram Begaj.
Sipas Partisë Demokratike, përfshirja e këshilltarit ligjor të Presidentit, Ilirjan Rusmali, në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përbën një ndërhyrje të papranueshme në administrimin e zgjedhjeve.
Ndërkohë pas kontestimeve të opozitës për votën e diasporës dhe akuzave të tyre se votat u manipuluan, KQZ thotë se kompania postare u ka dorëzuar provat që vërtetojnë se çdo zarf është tërhequr me firmën e zgjedhësit. Në një kthim përgjigje për shoqatën “Diaspora e Lirë”, KQZ thotë se janë në proces kontrolli të të gjitha firmave të zgjedhësve dhe ia kanë dorëzuar edhe Partisë Demokratike për Greqinë.
Ky standard thotë KQZ, është ndjekur edhe në rastin e Greqisë, duke shtuar se DHL ka zbatuar protokollin e dorëzimit për shpërndarjen dhe mbledhjen e zarfave dhe se disponon provën e dorëzimit për dërgesat e dorëzuara, të cilat mund të nxirren nga sistemi i tyre.
Lini një Përgjigje