Elita politike aktuale kërkon të mbajë vendin në një tension fals për të mbledhur një turmë që të ndjekë gjithë emocion një ndeshje që është e trukuar që në fillim...
E gjitha kjo që po ndodh në Parlament prej shpalljes së Sali Berishës si i pandehur, nuk është gjë tjetër veçse një spektakël province.
E para, nëse mazhoranca shkel të drejtat parlamentare të opozitës, atëherë opozita i drejtohet qytetarëve, del në rrugë dhe shpall largimin përfundimtar nga Kuvendi dhe kërkon zgjedhje të parakohshme.
E dyta, nëse këto deputetë për interesat e familjes së Sali Berishës duan të djegin Kuvendin, janë të gjitha mundësitë për të mos i lënë. Madje edhe për t’i ndaluar në vend, e të mos i lënë që të ngjiten në hekurat e kuvendit si majmunë cirku, apo të hipin nga muret si te filmi “Lulëkuqe mbi Mure”.
Duket krejt hapur se ky spektakël i pështirë është ai teatër që i leverdis si Edi Ramës për të treguar se kush janë ata që duan ta zëvendësojnë, por edhe Sali Berishës, për të harruar sadopak aferat korruptive të tij e familjes së tij, që tashmë janë dosje gjyqësore në Gjykatën e Posaçme.
Për sytë e njerëzve që ndjekin lajmet në televizion, e gjithë kjo estradë lë një shije të hidhur që gjithçka ndodh për interesa të ngushta.
Elita politike aktuale kërkon të mbajë vendin në një tension fals për të mbledhur një turmë që të ndjekë gjithë emocion një ndeshje që është e trukuar që në fillim.
Nuk ka asnjë lloj ndeshjeje, por janë mizanskena aq banale që i kuptojnë edhe nxënësit e klasës së gjashtë. Vendi kërkon një opozitë që të qëndrojë përballë Edi Ramës fort, e këtë mund ta bëjë edhe me forcë nëse duhet. Por natyrisht pa lënë pasdore rrugët parlamentare, pasi Shqipëria është vend i NATO-s dhe i përket sferës perëndimore.
Qytetarët duan një opozitë, por nuk i afrohen asaj vetëm prej Sali Berishës, sepse ai është një person i pandehur për korrupsion pasiv.
Kush ka ndjesi për Sali Berishën, sot është dita për ta mbështetur atë, sidomos tani që i janë bllokuar pasuritë, ta mbështesin financiarisht për procesin, t’i paguajnë avokatin, t’i qëndrojnë afër familjes së tij por edhe vetë doktorit nëse ka nevojë për ushqime, ilaçe, apo edhe detergjentë. Madje mund të mbledhin edhe fonde për ta ndihmuar, dhëndrit t’i çojnë ushqime, cigare e veshmbathje.
Por kjo nuk ka lidhje me aksionin politik të opozitës, e cila duhet të jetë në Kuvend për të mos lejuar që qeveria të miratojë buxhetin pa dhënë versionin alternativ të shpërndarjes dhe menaxhimit të të ardhurave.
Opozita nuk duhet të sulmojë SPAK, por përkundrazi ta nxisë që të hetojë edhe qeverinë e Edi Ramës. Pasi nëse ndodh që ata i dalin kundër SPAK, i japin mundësi mazhorancës të bëjë të njëjtën gjë nëse merret i pandehur një peshk i madh i saj. Në fakt, këtë do Sali Berisha, do që SPAK të hetojë një zyrtarë të lartë, qoftë edhe Edi Ramën, e ky i fundit të bëjë si Sali Berisha, të kërkojë mbështetjen e partisë.
Pikërisht kur të ndodhë kjo, atëherë vendi do të jetë në prag të rikthimit të tij në një shtet i dështuar si në vitin 1997. E kjo që ka ndodhur sot në Kuvend e konfirmon këtë. Fat është se realisht qytetarët e kanë braktisur këtë spektakël të shpifur. Që në realitet, duhet ta përbuzin, madje edhe në mënyrë demonstrative…/Pamfleti
Lini një Përgjigje