TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Mars 2023, 10:05

Tragjedia e Gërdecit, Fatmir Mediu del sot para GJKKO; SPAK kërkon rigjykim për ish ministrin

Shkruar nga Pamfleti
Tragjedia e Gërdecit, Fatmir Mediu del sot para GJKKO; SPAK kërkon
Ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu

Ditën e sotme orën 13:00 në GJKKO pritet te zhvillohet seanca paraprake për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu për dosjen e tragjedisë së Gërdecit.

SPAK kërkon që Mediu të gjykohet për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të detyrës në bashkepunim me kuadër komandues ushtarak.

Seanca paraprake do të drejtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do t’i kthehet pas SPAK-ut për plotësim hetimesh.

Çështja ndaj ish-ministrit Mediu është rihapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.

Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta rigjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.

Gjykata pati arsyetuar se mungesa e imunitetit të Mediut, sidomos pas vitit 2019, nuk e ka penguar prokurorinë të nisë procedurat.

Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës.

Pse akuzohet Fatmir Mediu? 

SPAK kërkoi rigjykimin e Mediut, pasi e akuzon si një nga ish zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.

SPAK e akuzon për shpërdorim detyre ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu lidhur me çështjen “Gërdeci”, ku nga shpërthimi i municioneve humbën jetën 26 persona.

Pasi iu komunikua akuza, ai tha se gjithçka ka prapavijë politike.  

Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.

Apeli i GJKKO vendosi hapjen e çështjes duke marrë të pandehur ish-ministrin. Ndërkohë Mediu ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm duke pretenduar se vendimi i Apelit është antikushtetues.

Sipas avokatëve të tij, ky vendim cënon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?

Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese.  Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse. Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Vetë Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, që në zgjedhjet e 25 prillit u zgjodh deputet si pjesë e listave të Partisë Demokratike, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirjen e tij në çështjen “Gërdeci”.

 

gërdeci fatmir mediu

Lini një Përgjigje