
Deputetët e Bardhit dhe të Berishës nuk heqin dorë nga skenari i kaosit.
Pas thuajse dy vitesh, do të rimblidhet Komisioni për Reformën Zgjedhore, i cili bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike.
Po grupimi i deputetëve të Gazment Bardhit dhe Sali Berishës, kanë vijuar skenarin e kaosit duke bllokuar sallën.
Deputetja demokrate Albana Vokshi ka zënë vendin e bashkëkryetarit të Komisionit së bashku me Lindita Metaliajn.
Lista e anëtarëve të këtij komisioni nga maxhoranca përbëhet nga Blerina Gjylameti, Klotilda Bushka, Toni Gogu, Ermonela Felaj, Arben Pëllumbi, Blendi Klosi dhe Klevis Xhoxhi.
Ndërsa, anëtarët e Partisë Demokratike janë zgjedhur Oerd Bylykbashi, Dashnor Sula, Kreshnik Çollaku, Lindita Metaliaj, Seladin Jakupllari, Ervin Salianji, Eralda Bano.
Mbledhja e këtij Komisioni vjen pas takimeve që u zhvilluan me përfaqësuesit e OSBE në vendin tonë.
OSBE/ODIHR ka theksuar gatishmërinë se është e gatshme për të asistuar një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.
Mesazhi u përcoll edhe nga kryesuesja e misionit të OSBE (17 janar) përmes një postimi në rrjetet sociale, pasi përmbylli ciklin e takimeve me bashkëkryetarët e reformës zgjedhore, Damian Gjiknurin e Enkelejd Alibeajn, edhe me Gazment Bardhin.
OSBE u bëri thirrje të gjithë deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë që të normalizohet procesi parlamentar. Përfaqësuesit e OSBE në Tiranë bëjnë po ashtu me dije se po përkushtohen maksimalisht në Reformën Zgjedhore.
“Çmojmë partneritetin tonë me Kuvendin e Shqipërisë. U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të kontribuojnë për një proces parlamentar të qetë e funksional. Punimet e papenguara dhe dialogu konstruktiv në komisione janë thelbësore. Përkushtimi ynë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe në kohë mbetet i fortë. Angazhimi pozitiv i të gjithëve është vendimtar për të pasur sukses!”, thuhet në deklaratën e OSBE.
Kujtojmë se ditën e sotme Gazmend Bardhi ka mbledhur që prej orës 10:00 Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, që përfshin deputetët që mbështesin Bardhin dhe Berishën.
Mësohet se në mbledhje deputetët e opozitës kanë vendosur që të bllokojnë mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, situatë kjo e paralajmëruar më herët nga deputetët e berishës.
Kujtojmë që grupi i deputetëve Bardhi – Berisha, kanë që prej tetorit të vitit të kaluar në aksion dhe nuk kanë lejuar zhvillimin normal të seancave plenare dhe komisioneve parlamentare.
Lini një Përgjigje