Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka rrëzuar kërkesën e PD për interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama për çështjen e Belinda Ballukut, pasi çështja është nën hetim nga Gjykata Kushtetese.
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për interpelancë me kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjen e Belinda Ballukut.
Sipas Peleshit, nuk do të ketë interpelancë për aq kohë sa Gjykata Kushtetuese nuk ka dalë me një vendim sa i takon padisë së qeverisë për shkarkimin e Ballukut.
Pas këtij vendimi, ka reaguar ashpër kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi në foltoren e Kuvendit .
Që në nisje të fjalës së tij Bardhi kërkoi prezencën e Ramës në Kuvend që ky i fundit të japë llogari për skandalin ku është përfshirë numri dy i qeverisë.
Ai tha se Rama duhet të ishte marrë i pandehur bashkë me Ballukun, pasi autori sipas tij i vjedhjeve për tunelin e Llogarasë dhe të Unazës së Madhe është kryeministri.
“Edi Rama sot ka vendosur ti fshihet Kuvendit. Ka një keqkuptim në përgjigje që i keni kthyer grupit parlamentar. Ajo që kemi kërkuar interpelancë me kryeministrin është ndërhyrja e kryeministrit në një çështje në hetim. Mbajtja në detyre e një ministri të marrë të pandehur dhe nën hetimi dhe ngritja e pretendimeve në kërkesën që ka dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese në emër të Kuvendit pa e konsultuar Kuvendin e Shqipërisë.
Ju folët që duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese , por çdo shqiptar e ka parë që Rama del dhe mbron të pandehurën ministre me video-selfie si një mjet presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese. Pra i fshihet deputetëve të Kuvendit dhe llogaridhënies në Kuvend. Kemi kërkuar që kryeministri të vijë të japë llogari se cili është motivi, dhe pse është bërë kryeministri i parë që ndërhyn në një çështje konkrete dhe ka kërkuar në emër të Këshillit të Ministrave shfuqizimin e vendimit të gjykatë kundër korrupsionit për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese ndaj të pandehurës Balluku. Ç’punë ka kryeministri që shndërron institucionin e Kryeministrit në avokatin ndaj një të pandehure. Ai e pranon përmes kërkesë që ka çuar që është bashkëfajtor me Ballukun dhe do të duhet të ishte marr bashkë i pandehur me Ballukun. Urdhëruesi i aferës së Llogarasë është Rama dhe lidhjen me kompaninë turke e ka bërë Rama”, tha ai.
Lini një Përgjigje