
Demokratët e drejtuar nga Sali Berisha kanë thirrur një protestë kundër asaj që e konsiderojnë si farsa e zgjedhjeve të 11 majit. Mbështetës të opozitës janë mbledhur përgjatë bulevardit ‘Zogu I’, disa qindra metra larg vendit ku liderë të Europës u mblodhën në Tiranë në kuadër të Komitetit Politik.
Shumë nga liderët e mbledhur u larguan sapo përfundoi sesioni i parë i Samitit, ndërsa pjesë tjetër vijuan me një drekë, në një prej restoranteve pranë selisë së PS-së.
Mbështetës të opozitës mbajnë në duar pankarta në gjuhën angleze, ku denoncojnë atë që e konsiderojnë si manipulimin e zgjedhjeve nga Edi Rama.
Në protestën e thirrur janë pothuajse të gjithë drejtuesit politikë të PD-së në Qarqe, që njëherazi udhëhoqën edhe listat e kandidatëve për deputetë, por edhe drejtuesit e kësaj partie, ndërsa mungon kreu demokrat Sali Berisha, që duket se do i bashkohet protestuesve në fund të saj, pasi është rrugës në kthim nga Brukseli.
Belind Këlliçi, Flamur Noka, Luçano Boçi, Enno Bozdo, Edmond Haxhinasto, Agron Gjekmarkaj, Xhelal Mziu, Tedi Blushi, Erisa Xhixho, Gent Strazimiri janë disa nga drejtuesit demokratë që janë mbledhur përgjatë bulevardit bashkë me mbështetësit e tyre. Gjithashtu të pranishëm janë kandidatët për deputet në Qarkun e Tiranës, që edhe pse nuk morën një mandat deputeti, i janë bashkuar thirrjes për protestë.
Lini një Përgjigje