
Kolegji Zgjedhor ka pranuar kërkesën e padisë së PD-së për anëtarët e KZAZ-së në Kukës.
Me këtë pranim i hapet rrugë faktit që PD të ketë të drejtën për të propozuar 2 anëtarë në KZAZ për zgjedhjet lokale në Kukës, ndërsa 1 anëtar Partia e Lirisë.
Me këtë vendim, Basha ka marrë një fitore kundrejt Ilir Metës i cili është në aleancë me Sali Berishën.
Kolegji Zgjedhor shfuqizoi vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe atë të KAS.
Megjithatë PD zyrtare nuk do të ketë kandidat të saj në zgjedhjet që do të ripërsëriten më 24 shtator në Kukës, por vetëm 2 anëtarë në KZAZ.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi kishte vendosur një tjetër ndarje. Më konkretisht, Partia Socialiste do të propozonte tre anëtarë të KZAZ, dy do t’i propozonte Partia e Lirisë dhe një Partia Demokratike.
KAS i kishte dhënë të drejtë Celibashit, duke rrëzuar kështu ankimimin e PD-së. Por, Kolegji Zgjedhor rrëzoi KQZ-në dhe KAS, duke pranuar kërkesën e PD-së.
Ndërkohë Partia Demokratike, e drejtuar nga Lulzim Basha nuk do të ketë kandidat për zgjedhjet e 24 shtatorit në Kukës. Në garë janë vetëm Emri Vata nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Albert Halilaj nga Partia Socialiste.
Shkak për mos marrjen pjesë në garën elektorale të shtatorit, PD zyrtare bën kohën e pamjaftueshme në dispozicion si dhe “pasojat e frymës së konfliktit të ndezur mes demokratëve.”
Për PD, kjo është koha që të anëtarët të fokusohen te ringritja e degës së Partisë dhe “krijimit të alternativës që presin qytetarët e Kukësit për të rrëzuar qeverinë.”
Që pas zgjedhjeve të 2021, PD është përçarë në dy grupe dhe në zgjedhjet vendore grupimi i ish-kryeministrit Sali Berisha u fut nën siglën e “Bashkë Fitojmë” në aleancë me partinë e ish-kryeministrit Ilir Meta.
Pjesa tjetër që vijon të mbajë siglën dhe vulën e partisë në mënyrë ligjore u fut vetëm në garë duke humbur në mënyrë të konsiderueshme elektoratin në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare.
PD-ja kërkoi nga KAS që të njihte këtë parti si partinë kryesore të opozitës parlamentare, bazuar në numrin e votave të fituara në shkallë vendi për këshillat vendorë në zgjedhjet e 14 majit duke kontestuar mënyrën e përllogaritjes së votave për partitë përbërëse të koalicionit “BF”.
Zgjedhjet e parakohshme bëhen për të zëvendësuar kryebashkiakun e shkarkuar të Kukësit, Safet Gjici, vetëm pak javë pasi ishte rizgjedhur për një mandat të dytë nën siglën e Partisë Socialiste.
Shkarkimi i tij nga Këshilli i Ministrave erdhi menjëherë pasi në fillim të qershorit qarkulloi në internet një video e tij duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua në zyrë. Ai u arrestua pak ditë më vonë për “korrupsion pasiv”.
Lini një Përgjigje