
Ka filluar procesi i numërimit të votave në të gjitha bashkitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e pjesshme lokale.
Procesi i numërimit ka nisur edhe në Bashkitë e Cërrikut dhe Vlorës. Në bashkinë e Cërrikut në zgjedhjet e pjesshme lokale që u mbajtën këtë të diel, kandidojnë Florenc Doka i PS-së, Amarildo Hoxha kandidat i pavarur mbështetur nga PD-ja dhe Eligert Hima nga Shqipëria Bëhet.
Ndërkohë, Vlora është në pritje të emrit të kryebashkiakut të ri pas zgjedhjeve që u mbajtën ditën e sotme. Rreth 16,200 qytetarë iu drejtuan kutive të votimit, pjesëmarrja më e ulët e regjistruar ndonjëherë nga vlonjatët të cilët janë në shifrat e rreth 130 mijë personave me të drejtë vote.
Raportohet se procesi gjatë ditës së sotme ishte i qetë dhe pa problematika, ndërkohë që ka nisur numërimi i kutive të para të votimit ën KZAZ nr 85.
Gara për drejtimin e qytetit bregdetar është mes kandidates socialiste Brunilda Mersini e cila la mandatin e deputetit, kandidatit të pavarur por të mbështetur nga PD Dionis Sota dhe kandidatit tjetër Gjergji Nika i cili ka dy rivalë tashmë, socialistët por edhe vetë demokratët nga ku ka dhënë kontributin e tij për disa vite.
Ndryshe nga herët e tjera, KQZ po e transmeton në kanalin e saj në YouTube të gjithë procesin e numërimit të votave.
Bashkia e parë që nisi procesin e numërimit ishte Tepelena dhe më pas Berati. Në bashkinë e Tepelenës për herë të parë do të aplikohet edhe testi numërimit të votave me Inteligjencë Artificiale, por krahas këtij procesi, numërimi do të vijojë manualisht.
Bashkia e fundit ku ka nisur procesi i numërimit të votave është Mati. Sipas të dhënave të KQZ, Bashkia Mat ka shënuar numrin më të lartë të pjesëmarrësve në votim, me 39.23%. Në këtë Bashki ka tre kandidatë, Altin Bojni i Partisë Socialiste, Eduart Brahilika dhe Suzana Pasha të pavarur.
Lini një Përgjigje