TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Prill 2026, 11:01

Nga “presioni maksimal” te “lëshimet maksimale”: Si po e humb Trump lojën përballë Teheranit

Shkruar nga Nathalie Tocci
Nga “presioni maksimal” te “lëshimet maksimale”: Si
Irani /

Nga kërcënimi për ndryshim regjimi te pazari për uraniumin, dëshira e Shtëpisë së Bardhë për një marrëveshje po shndërrohet në një dështim strategjik, duke i dhënë Teheranit avantazhin në tavolinën e negociatave dhe duke diktuar parametrat e rinj të konfliktit...

Midis rreshtave të kërcënimeve dhe ritmit të furishëm të postimeve në çdo orë të ditës - dhe sidomos të natës - del në pah dëshira e dëshpëruar e Donald Trumpit për të arritur një marrëveshje që t’i japë fund luftës së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit. Megjithatë, janë pikërisht fjalët e presidentit amerikan dhe paaftësia e tij e dukshme për të kuptuar dinamikat e Teheranit, ato që e bëjnë këtë objektiv të vështirë për t’u realizuar.

Me armëpushimin në Iran, të pasuar nga ai në Liban, dhe përpjekjen për të përmbyllur me sukses një negociatë mes Uashingtonit dhe Teheranit në Islamabad të Pakistanit, Trump ka vepruar me bindjen se një marrëveshje më e favorshme për Shtetet e Bashkuara mund të arrihej vetëm duke rritur bastin.

Këtë ndoshta e ka bërë sepse e di - pavarësisht deklaratave të tij të kundërta - se parametrat e një kompromisi të mundshëm janë sot shumë më pak të favorshëm krahasuar me fillimin e vitit, para sulmit të përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit, kur palët negocionin në Gjenevë të Zvicrës.

Në fillim të këtij viti, Uashingtoni këmbëngulte se nuk do të lëvizte asnjë milimetër nga kërkesat e veta: zero pasurim të uraniumit, fund të programit raketor iranian dhe ndërprerje e mbështetjes për milicitë pro-iraniane në rajon.

Këtyre kërkesave u shtohej kërcënimi i nënkuptuar për një ndryshim regjimi në Teheran, në sfondin e protestave të shtypura brutalisht nga aparati i sigurisë iraniane. Në fakt, bëhej fjalë për qëndrime maksimaliste, të cilat të kombinuara me mobilizimin ushtarak amerikan në Gjirin Persik, linin të kuptohej mungesa e sinqeritetit të çiftit të zakonshëm negociator të Trumpit: i dërguari Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner.

Por, pavarësisht synimeve reale të Shtëpisë së Bardhë, këto ishin kërkesat mbi tryezë. Ndërkohë në Islamabad, nuk flitet më për raketat iraniane apo për milicitë. Ndryshimi i regjimit në Teheran nuk është më në diskutim.

Po diskutohet vetëm për një kufi kohor të pasurimit të uraniumit. Irani kërkon me ngulm një shtyrje maksimumi 5-vjeçare, ndërsa Shtetet e Bashkuara kërkojnë 20 vite ose më shumë. Po ashtu negociohet për 440 kilogramët e uraniumit të pasuruar në një përqindje që lejon ndërtimin e disa armëve bërthamore.

Trump i minimizon ato qëllimisht duke i quajtur “pluhur bërthamor”. Irani këmbëngul për hollimin e tyre në nivele të përshtatshme vetëm për një program civil, ndërsa Uashingtoni kërkon largimin e tyre nga vendi.

Edhe nëse do të arrihet një marrëveshje bërthamore më afër pozicioneve amerikane sesa atyre iraniane, parametrat nuk do të ishin thelbësisht të ndryshëm nga ata të marrëveshjes së vitit 2015, pikërisht ajo që Trump e ka kritikuar ashpër dhe që më pas e rrëzoi.

Së fundi, po diskutohet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe mbi një sistem të mundshëm tarifimi në dobi të Iranit, një çështje që nuk ekzistonte fare në janar kur ngushtica ishte plotësisht e hapur dhe që u nxit nga vetë lufta e Trumpit.

Edhe në këtë rast, është e vështirë të imagjinohet që një marrëveshje e mundshme të mos përfshijë lëshime ndaj Iranit për Hormuzin - lëshime që para konfliktit do të kishin qenë të paimagjinueshme.

Në përmbledhje: Trump dëshiron me dëshpërim një marrëveshje, por kompromisi i vetëm i mundshëm është shumë më pak i favorshëm për Uashingtonin sesa ai që mund të ishte arritur para luftës. Pra, një dështim strategjik nga çdo këndvështrim.

Nëse në njëfarë mase edhe Trump e kupton këtë, kjo do të shpjegonte edhe arsyen pse sa më shumë rritet dëshira e tij e dëshpëruar për paqe, aq më shumë ai përgjigjet duke e rritur bastin. Bllokimit iranian të Hormuzit iu përgjigj me një kundërbllokadë amerikane.

Para skadimit të armëpushimit të përkohshëm, u rikthyen kërcënimet e presidentit për të goditur infrastrukturën civile në vend, duke hapur mundësinë e krimeve të luftës. Nuk munguan as postimet ku Trump nënvizon dobësinë e Iranit, qartazi për të maskuar të vetën.

Edhe armëpushimi në Liban është një dëshmi e papritur pikërisht e kësaj dobësie. Kur dy javë më parë u shpall armëpushimi i përkohshëm në Iran dhe Izraeli u përpoq ta sabotonte duke vrarë mbi 350 libanezë, Trump u tregua edhe një herë i butë ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Por kur Irani vendosi kushte të qarta, duke refuzuar të rihapte Hormuzin pa një armëpushim edhe në Liban, Trump u detyrua t’i impononte Netanyahut një ndalesë. Pastaj Shtetet e Bashkuara aktivizuan kundërbllokadën në Hormuz dhe përplasja në ngushticë vazhdon.

Megjithëse iranianët janë të bindur jo vetëm se kanë një prag dhimbjeje më të lartë se ai amerikan, por edhe se kanë ende karta për të luajtur, sidomos atë të mbylljes së Ngushticës së Bab el-Mandebit në Detin e Kuq nga ana e Houthëve.

Veprimet përshkallëzuese të Shteteve të Bashkuara kanë shkaktuar deri tani vetëm një rreth vicioz të mëtejshëm përshkallëzimi nga ana iraniane. Dhe pavarësisht inferioritetit ushtarak, regjimi i Teheranit vazhdon të veprojë me bindjen e dukshme se është më rezistent se Uashingtoni.

Në momentet e fundit, Trump ka ndërmarrë dje në mbrëmje lëvizjen e radhës të paparashikueshme: zgjatjen e njëanshme të armëpushimit për një afat të pacaktuar, pavarësisht refuzimit të Teheranit për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve.

Ky pezullim i luftës “deri në një njoftim të dytë” lë gjithçka në pezull, duke dëshmuar se dëshira e dëshpëruar e Trumpit për të shmangur një përshkallëzim total po mbizotëron mbi kërcënimet e tij ushtarake.

Mbetet për t’u parë nëse kjo “ngrirje” e konfliktit do t’i japë hapësirë diplomacisë, apo është thjesht dëshmia e radhës e taktikave të tij vetëdëmtuese që i dorëzojnë Iranit kontrollin mbi kohën dhe ritmin e lojës./Pamfleti nga “La Stampa”

presioni maksimal lëshime maksimale trump irani

Lini një Përgjigje