TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Nëntor 2023, 22:10

Ndoshta jo përjashtim, por Rama do ta ketë pisk në PSE; e majta italiane i kujton Erdoganin

Shkruar nga Pamfleti
Ndoshta jo përjashtim, por Rama do ta ketë pisk në PSE; e majta
Edi Rama

Kreu i demokratëve italianë mohoi kërkesën për përjashtimin e Ramës, por ata kanë kujtuar dhe se si ai i sfidoi duke mbështetur Erdoganin në zgjedhjet e fundit. Edhe Erdogan i përket ekstremit të djathtë si Meloni...

Lajmi që bëri bujë sot ishte se e majta italiane do të kërkonte përjashtim të Edi Ramës nga Partia Socialiste Europaine, pas paktit me Giorgia Melonin për emigrantët. Sipas tyre, është i papranueshëm bashkëpunimi me një ekstrem të djathtë.  

Por më pas kreu i PD-së italiane reagoi duke mohuar përjashtimin, por duke e bërë të qartë se ata do të ngrenë këtë shqetësim nesër në takimin e PSE. “Nuk ka kërkesë për përjashtim, por çështje përputhshmërie me parimet e PSE”, tha ai.

Sipas mediave italiane, raportet janë krisur dhe e majta italiane nuk do ta lërë me kaq.

Provenzano thekson se pyetja që shtrohet nuk është dëbimi i Ramës, por “çështja politike” e përputhshmërisë mes parimeve të PSE dhe marrëveshjes për emigrantët e nënshkruar nga Shqipëria me Giorgia Melonin. Marrëveshje e cila, sipas demokratëve, shkel ato parime. Nuk ka asnjë reagim formal nga zona e Nazarenit, thjesht veçojmë sqarimin e Provenzanos në Repubblica. Dhe mesa duket është edhe shpjegimi që  është dhënë nga qeveria shqiptare sipas këshilltarit të Ramës, Endri Fuga: “Duket si një keqinterpretim nga media”, tha ai për Adnkronos, duke besuar se ‘çështja e dëbimit’ nuk do të ndodhë”, raporton Adnkronos.

Sipas medias italiane, qarku i shkurtër për çështjen Rama ka acaruar jo pak zonën reformatore të Partisë Demokratike. “Jemi në prag të demonstratës të së shtunës dhe nuk duam të nxisim polemika, por duhet kujdes dhe maturi për disa gjëra: është një gjë të kritikosh një marrëveshje që është absolutisht e hapur për kritika nga çdo këndvështrim, është një gjë tjetër të flasim për dëbim...”, thotë një emër i madh nga zona e Bonaccinit, vijon portali.

Kjo çështje ka shkaktuar dhe një përplasje midis Andrea Orlando dhe Pierluigi Castagnetti. “Më duket e gabuar të kërkosh përjashtimin e Ramës nga PSE”, shkruan kryetari i Partisë Popullore dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike.

Orlando ju përgjigj: "Pierluigi, për mua rregullat e reja të BE-së nuk mund të vihen në të njëjtin nivel me një marrëveshje që shkel të drejtat themelore. Për më tepër, dua t'ju kujtoj se shoku Rama e mbështeti Erdoganin në konkurrencë me partitë e PSE në zgjedhjet e fundit në Turqi". (Edhe Erdogan i përket ekstremit të djathtë si Meloni).

Edhe nga e djathta e qendrës ka nga ata që komentojnë, siç është kryetarja e Komisionit të Jashtëm në Senat, italianja Stefania Craxi: “E majta e zakonshme lokale, ajo e zhargonit ‘sa më keq aq më mirë’, po ngrihet kundër paktit për emigracionin e firmosur nga Italia dhe nga Shqipëria, duke ardhur deri te propozimi i përjashtimit të partisë së kryeministrit Edi Rama nga PSE. Nëse nuk do të ishte tragjike, do të ishte për të qeshur”.

Provenzano ndërkohë ka mbërritur në Malaga me delegacionin e PD-së për kongresin e PSE. Nesër do të mbërrijë edhe Elly Schlein. Megjithatë, kryeministri Rama nuk do të jetë i pranishëm pasi është në Forumin e Paqes në Paris. /Pamfleti

Lini një Përgjigje