
Kryeministri Edi Rama ka vijuar me “furçet” ndaj Erdogan. Në një fjalim në panelin e politikës së jashtmes në Forumin Ekonomik të Delfit në Greqi, ai u pyet se kush mendon se do t’i fitojë zgjedhjet në Turqi, Kryeministri Rama është shprehur në Greqi se është i njëanshëm duke qenë se është mik i Presidentit Erdogan.
“Unë jam i njëanshëm, jam mik i Presidentit Erdogan. Kështu që mos më pyesni se s’do ju pëlqejë përgjigja ime. Unë mendoj që pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve unë mendoj se presidenti Erdogan ka bërë një punë të jashtëzakonshme për vendin e tij. E ka ndryshuar shumë Turqinë. Sigurisht që ka gjëra për të përmirësuar por në raport me BE mund të them që gjëja është komplekse”, tha Rama.
Teksa foli edhe për influencën ruse në Ballkan, Rama tha se marrëdhëniet e Shqipërisë me Rusinë janë njëjtë si gjatë një lufte të ftohtë. Ai tha se Shqipëria dhe Kosova janë tërësisht pa influencë ruse ndryshe nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina ku paraqitet një panoramë krejt tjetër.
“Ballkani perëndimor ka qenë pjesë luftërash dhe urrejtje. Ne jemi tani në pjesën më të mirë të historisë së rajonit dhe kjo falë BE dhe SHBA. Prej shekujsh ne nuk flisnim me njëri tjetrin. Tani 8-9 vitet e fundit ne po flasim. Nëse flasim për politikat e jashtme të vendeve ballkanike ne kemi një panoramë të përzier. Shqipëri është tërësisht pa influencë ruse. Kosova plotësisht pa influencë ruse. Në Serbi dhe Bosnjë kemi një panoramë krejt tjetër. Marrëdhëniet tona me Rusinë janë të një lufte të ftohtë”, theksoi Rama.
Lini një Përgjigje