
Pelegrinazhet, meshat dhe njoftimet protokollare tregojnë se autoqefalia mbetet iluzion, ndërsa ndikimi grek vazhdon të dominojë…
Edhe me ardhjen e një kryepeshkopi shqiptar në krye të saj, Kisha Ortodokse Shqiptare nuk po arrin të shkëputet nga helenizmi, trashëgimi e qeverisjes së Anastas Janullatosit. Ky ndikim grek vazhdon të jetë i pranishëm në thuajse të gjitha aspektet e veprimtarisë së Kishës, duke penguar realizimin e autoqefalisë, që do të thoshte pavarësi e plotë e Kishës shqiptare.
Kjo duket qartë në njoftimet zyrtare dhe protokollare të Kishës. Gjatë muajve të verës, Shqipëria është vizituar nga grupe të shumta pelegrinësh nga Greqia, të cilët kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme, përfshirë pelegrinazhin në varrin e Anastasi Janullatosit, duke e shndërruar atë në një shenjtor simbolik. Këto grupe janë pritur nga kryepeshkopi Fatmir Pelushi, i njohur edhe si Imzot Joani, së bashku me klerikë të Kishës Greke.

Në njoftimin zyrtar, vijon përdorimi i gjuhës shoviniste, duke e cilësuar jugun e Shqipërisë si “Vorio-Epir”, term i përdorur nga faqja zyrtare e Kishës Greke. Sipas saj, pelegrinazhi pesëditor ka përfshirë vendet ku jetoi Shën Kozmai, si dhe vende të shenjta në Epirin e Veriut, përfshirë Shën Sarandën, Gjirokastrën, Manastirin e Shën Kozmait, Korçën, Beratin dhe Tiranën.
Gjatë pelegrinazhit, Mitropoliti i Dhimitrias dhe Almiros, Z. Ignati, kreu meshë në nder të atyre që ranë në frontin e Sarandës, Mitropolitit të ndjerë të Gjirokastrës, Z. Dhimitri, si dhe Kryepeshkopit të bekuar të Shqipërisë, Z. Anastasi, në Katedralen e Ngjalljes në Tiranë. Në aktivitetet kulturore në Katedralen e Tiranës, grupet rinore nga Shqipëria dhe Greqia kënduan këngë në gjuhën greke.
Në njoftimin grek, kryepeshkopi shqiptar përmendet si Z. Joanis, duke respektuar transliterimin grek, dhe jo si Joani. Mitropoliti Ignati ka deklaruar: “Me emocion qëndruam te varri i Kryepeshkopit të bekuar Anastas, një hierark që vulosi rilindjen e Ortodoksisë në vendin tuaj. Ne lutemi për ju dhe Kishën e Shqipërisë dhe do të jemi gjithmonë ndihmës dhe mbështetës në punën tuaj.”
Pelegrinët vizituan edhe Berat (Veratio), ku zhvilluan turne në kishat historike së bashku me Mitropolitin e Veratios, Avlonit dhe Kaninit, Z. Astios, dhe u pritën në Bashkinë e Dropolit dhe Pogonit nga kryetari i bashkisë, Z. Dimitrios Tolis. Autoqefalia mbetet premtim i pambushur, ndërsa Helenizmi vazhdon të mbjellë influencën e tij në çdo cep të tempullit dhe çdo aktivitet zyrtar./Pamfleti
Lini një Përgjigje