Avokatët e Sali Berishës kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka
Është ndërprerë seanca për gjyqin ndaj Sali Berishës ku SPAK ka kërkuar shtrëngimin e masës nga ‘detyrim paraqitje’ në ‘arrest shtëpie’.
Seanca është shtyrë për nesër në orën 11:00. Avokatët e Sali Berishës kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Po ashtu avokatët kanë kërkuar më tepër prova për kërkesën e SPAK.
Ndërkohë Genc Gjokutaj dhe Sokol Mengjesi, dy avokatët e Berishës u paraqitën në GJKKO. Vetë Berisha, nuk ishte prezent, ndërsa paralelisht mbajti një bashkëbisedim me të rinjtë e FRPD-së.
Ndërkaq në ambientet e prokurorisë së Posaçme janë marrë masa të shtuara sigurie pasi kanë shkuar patrulla policie.
Kërkesa e SPAK për zëvendësim mase u bë të premten vetëm një ditë pasi mori autorizimin nga Kuvendi.
Në votimin e seancës të së enjtes, 21 dhjetor 2023, në më pak se 9 minuta, me 75 vota pro Kuvendi miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të autorizuar për arrestimin e Sali Berishës. Tentativat e vakëta të Berishës, përmes tensioneve në Kuvend dhe protestës përballë, rezultuan të paefektshme për ish Kryeministrin.
Sali Berisha është nën hetim nga SPAK për akuzën e “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Në dosjen e klubit sportiv “Partizani” thuhet se ish Kryeministri ndikoi që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, sot në arrest shtëpie, të privatizojë kompleksin dhe ndërtojë 19 kulla të cilat i sollën fitim prej 5.4 mln euro.
Lini një Përgjigje