Gazetari italian Marco Carta zbulon përfshirjen e “klanit të Vlorës” në atentatin me bombë ndaj drejtuesit të emisionit “Report” në Rai 3. Hetuesit italianë ndjekin pistën shqiptare, që mund të çojë deri në korridoret e politikës në Tiranë…
Gazetari i “La Repubblica”, Marco Carta, një prej reporterëve më të njohur të kronikës në rajonin e Romës, ka 48 orë që publikon detaje nga hetimet mbi atentatin me bombë ndaj makinës së gazetarit të famshëm Sigfrido Ranucci, drejtuesit të emisionit investigativ “Report” në Rai 3, i njohur për ekspozimin e mafies dhe korrupsionit në Itali.
Sipas kronikave të Cartës, të bazuara në burime të Antimafias italiane, në atentat mund të ketë dorë Altin Sinomati dhe grupi i tij i njohur si “klani i Vlorës” në mafien romane. Hetimet janë në fazë fillestare, por pritet që në ditët e ardhshme të ketë zhvillime të reja.
Një akt “kamikaz” i mafies shqiptare
Pikëpyetja e madhe që po ngrihet është pse mafia shqiptare do të ndërmerrte një akt kaq të rrezikshëm, që zakonisht përbën “vijën e kuqe” të çdo grupi të organizuar. Mafia nuk vë bomba ndaj gazetarëve vetëm për inat apo hakmarrje, një atentat ndaj një gazetari kryhet ose për të mbyllur gojën e një të penduari, ose për të mbrojtur interesa që prekin nivelet më të larta të pushtetit.
Historia e krimit të organizuar e konfirmon këtë logjikë. Gazetari holandez Peter R. de Vries u vra në vitin 2022 nga “Mokro Mafia”, pasi po ndihmonte juridikisht një të penduar të grupit.
Në Itali, gazetarë si Giuseppe Fava dhe Nino Pecorelli u vranë për investigime që prekën bosët e Cosa Nostra-s dhe lidhjet e saj me politikën. Edhe atentati i vitit 1992 ndaj Maurizio Costanzo-s, që ftonte shpesh në studio prokurorin Giovanni Falcone, u zbulua më vonë si pjesë e negociatave të fshehta midis mafies dhe segmenteve të qeverisë italiane.
Në këtë kuptim, atentati ndaj Sigfrido Ranuccit është një veprim që dëmton drejtpërdrejt mafien shqiptare në Itali, pasi ekspozon grupet dhe sjell kundërveprim të fortë nga shteti. Një akt i tillë kryhet ose në moment dëshpërimi ekstrem, ose me porosi “nga lart”, pra nga interesa politike që kërkojnë ta mbyllin gojën e një gazetari që di shumë.
Pista shqiptare dhe hetimet që lidhen me Tiranën
Sipas “La Repubblica”, hetimet për atentatin do të zgjerohen gjatë ditëve në vijim dhe pritet të publikohen të dhëna të tjera për aktivitetin e “klanit të Vlorës” në Romë.
Ky grup, sipas autorit dhe gazetarit të njohur Roberto Saviano, është një nga më të fuqishmit në kryeqytetin italian, duke kontrolluar tregtinë e kokainës me shumicë dhe pakicë, një rrjet që operon si “franchisë” e ‘Ndrangheta-s kalabreze.
Emisioni “Report” i Ranuccit i ka kushtuar kohë të madhe investigimeve për mafien shqiptare dhe lidhjet e saj me politikën në Shqipëri.
Pikërisht nga “Report” kanë dalë intervistat e bujshme me Arben Ahmetajn, si dhe dokumente komprometuese për Edi Ramën dhe qeverinë shqiptare.
Në sezonin e ri të emisionit, pritet të transmetohen materiale të reja mbi pastrimin e parave të mafies shqiptare në ekonominë e Tiranës, bazuar në burime nga policia, shërbimet sekrete dhe drejtësia italiane.
Prandaj pyetja që po shtrojnë hetuesit në Romë është e drejtpërdrejtë:
Kush e urdhëroi Altin Sinomatin?
Nëse përgjigjja çon përtej Italisë, drejt politikës së Tiranës, atëherë ajo që duket si një atentat mafioz mund të kthehet në një bombë me neutron për pushtetin shqiptar.
Hetimet sapo kanë filluar, dhe ajo që pritet mund të tronditë më shumë se një kryeqytet./Pamfleti
Lini një Përgjigje