Mjerisht, muaji i shenjtë i Ramazanit filloi pa një armëpushim në Gaza, ku njerëzimi po përballet me një provë të re. A do të shohë këtë muaj populli i Gazës një armëpushim dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare apo më shumë mizori?
Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi kohët e fundit se po punon për arritjen e një armëpushim emergjent 6-javor, duke e konsideruan Rafahun si një “vijë të kuqe” për SHBA-në. E megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti angazhimin e tij për të kryer operacione ushtarake në atë zonë.
Në fakt, aktet e reja mizore të ushtrisë izraelite në Rafah, ku 1.4 milionë palestinezë po vuajnë nga uria gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit, do të ishin një burim i ri turpi për botën dhe komunitetin mysliman. Meqenëse SHBA-të ushtrojnë një ndikim më të madh mbi Izraelin se çdo komb tjetër, nuk mund të mos kritikohet (mos)veprimi i administratës Biden.
Thirrjet e paqarta të Biden “për të ndalur gjenocidin”
Teksa po afrojnë zgjedhjet presidenciale në SHBA-së, presidenti Joe Biden po përballet me thirrje të vazhdueshme për të “ndaluar gjenocidin”. Megjithatë administrata e tij, mbetet e përkushtuar ndaj strategjisë me dy drejtime, e cila ende nuk ka çuar në arritjen e ndonjë armëpushimi.
Nga njëra anë, Uashingtoni këmbëngul se vazhdon të ushtrojë presion për arritjen e një armëpushimi, duke u zotuar të ndërtojë një port të përkohshëm për të ofruar ndihmë humanitare për palestinezët, dhe duke shprehur dakordësinë për një zgjidhje të konfliktit përmes krijimit të 2 shteteve.
Nga ana tjetër, administrata Biden po vazhdon të ofrojë ndihmë ushtarake për Izraelin, dhe nuk arrin dot të ushtrojë një presion të mjaftueshëm ndaj Netanyahut që ky t’i japë fund gjakderdhjes në Gaza. Mund të argumentohet se kryeministri izraelit është dinak dhe i aftë për të mbijetuar.
Por vështirë se dikush e beson vërtet, se SHBA-ja nuk ka mundësi ta pengojë Izraelin të sulmojë Rafahun. Përkundrazi, në mendje të vjen mbështetja e pakushtëzuar dhe ndihma ushtarake e Amerikës për Izraelin, për të mos përmendur ofertën e saj të mbrojtjes përmes aeroplanmbajtësve amerikanë dhe Biden që e përshkruan veten si një sionist.
Bindës nuk është dhe aq presidenti amerikan, kur bën sikur e kritikon Netanyahun për vrasjen e më shumë se 30.000 palestinezëve në Gaza, dhe me paralajmërimin se kryeministri izraelit po bën më shumë dëme sesa mirë. Është e vërtetë që Biden e identifikoi Rafahun si një “vijë të kuqe”për Uashingtonin, por më pas e përjashtoi mundësinë e braktisjes totale të Izraelit.
Pra administrata Biden nuk ka ndërmend të pezullojë dërgimin e armëve në Izrael. Kësisoj, s’ka asnjë arsye të supozohet se qasja aktuale e Uashingtonit do të pengonte një politikan me përvojë si Netanyahu.
Pavarësisht kritikave Netanyahu po mbron politikat e tij
Në kundërpërgjigje të komenteve të Joe Biden, kryeministri izraelit theksoi se Uashingtoni do të gabonte, nëse mendon se qeveria e tij ka ndjekur politika të caktuara kundër vullnetit të shumicës, dhe se ato kanë dëmtuar interesat e izraelitëve.
Ai këmbëngul se shumica e qytetarëve e ka mbështetur qasjen e qeverisë së tij ndaj Gazës. Kështu, Netanyahu e ka portretizuar si një interes kombëtar të Izraelit vrasjen e civilëve, në emër të synimit të deklaruar tashmë të zhdukjes përfundimtare të Hamasit.
Po ashtu, ai theksoi se nuk do t’ia dorëzojë këtë territor administratës palestineze, të cilën e akuzoi hapur për mbështetje të terrorizmit. Dhe kjo është padyshim sfida më e madhe. Po nëse Netanyahu refuzon që t’i japë fund masakrave vetëm e vetëm për të mbetur në pushtet, atëherë pse nuk po provojnë ta ndalin nga kjo rrugë politikanët izraelitë të së majtës?
A është vërtet e mundur, që ajo që po ndodh prej 5 muajsh të justifikohet vetëm me zhvendosjen e madhe të politikës izraelite në të djathtë? Le të kujtojmë këtu se publiku izraelit, nuk ka reaguar asnjëherë ndaj gjakderdhjes që po ndodh në Gaza me aq forcë sa perëndimorët.
Madje miqtë e mi në Perëndim, kanë vënë re se populli i Izraelit ka nevojë të bindet që luftimet në Gaza duhet të përfundojnë sa më parë. Dhe nëse Netanyahu ka të drejtë që shumica e Izraelit e mbështet politikën aktuale, atëherë kush mund t’ua ndryshojë mendjen?
Që Izraeli nuk do të ndalet nëse dhe derisa të paguajë ndonjë kosto të madhe, kjo është bërë tashmë pikëpamja kryesore e analistëve dhe ekspertëve. Një masakër në Rafah do t'i shkaktonte një dëm të pariparueshëm imazhit dhe interesave të Izraelit, por edhe të Shteteve të Bashkuara. Dështimi për të parandaluar këtë skenar, do të bënte gjithashtu që edhe vendet myslimane të paguanin koston e tyre të rëndë sa i përket imazhit publik./Përshtati Pamfleti nga “Daily Sabah”
Shënim: Burhanettin Duran, koordinator i përgjithshëm i fondacionit SETA, dhe profesor në Universitetin e Shkencave Sociale të Ankarasë.
Lini një Përgjigje