Endrit Shabani i cili do të betohet sot si Avokat i Popullit ka mbërritur në Kuvend.
Shabani, u përzgjodh për këtë detyrë me firmat e Partisë Demokratike, por u miratua në seancë vetëm me votat e Partisë Socialiste.
Opozita e ka kundërshtuar këtë proces, duke e konsideruar të kontestueshëm dhe ka depozituar një padi në Gjykatën Kushtetuese, çka pritet të reflektohet edhe në debatet parlamentare të sotme.
Shabani nuk është një emër i panjohur për publikun. Prej vitesh ai ka qenë aktivist i shoqërisë civile, drejtues i Parlamentit Rinor, kryetar i ‘Nismës Thurje’ dhe anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë.
Përtej profilit politik, Shabani është jurist me një karrierë të pasur akademike të fokusuar në të drejtën publike dhe të drejtat e njeriut. Ai ka kryer studimet Master dhe ka mbrojtur gradën shkencore ‘Doktor i Shkencave’ (PhD) në Universitetin e Oksfordit.
Prej 15 vitesh, Shabani punon si pedagog i së drejtës në universitete në Shqipëri, Francë dhe Britaninë e Madhe. Gjithashtu, ai ka shërbyer si konsulent për organizata të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Transparency International, Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Evropës.
Lini një Përgjigje