TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Mars 2024, 09:52

E ashtuquajtura ‘hapje’ e PS nuk është gjë tjetër veçse varrosja e saj

Shkruar nga Pamfleti
E ashtuquajtura ‘hapje’ e PS nuk është gjë
Edi Rama dhe ministri i Mbrojtjes së Italisë Guido Crosetto, një nostalgjik i së djathtës italiane /

Edi Rama, po synon ta kthejë Partnë Socialiste në një parti, ku e majta si koncept, të jetë sa më shumë margjinale...

Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë dalë të vetmit socialistë në fushatën e anëtarësimeve të reja me tezën e “hapjes së PS”.

Janë të vetmit drejtues të lartë të mazhorancës që po japin tesera në erë, për njerëz që jo vetëm nuk kanë lidhje me PS-në, por që në shumicën e rasteve kanë qenë votues, madje edhe mbështetës të Partisë Demokratike.

 E gjithë kjo strategji nuk është rastësi. E jo më kot kanë si personazh kryesor Erion Veliajn, i cili edhe pse tashmë një socialist i vjetër, kurrë nuk pati një marrëdhënie të mirë me PS-në Tiranës.

Mjafton të shohësh kryeqytetin, ku nëse je “socialist i vjetër” konsiderohesh njeri i Saimir Tahirit, Belinda Ballukut, Koçi Xoxes e armiqve të tjerë të partisë.

Socialistët e vjetër janë realisht armiqtë më të fortë të kupolës aktuale të PS-së, pasi Edi Rama i frikësohet, një lineimi politik të majtë brenda PS-së. Ku nuk se mungojnë lëvizjet, edhe pse të ashtuquajturit senator nuk bëzajnë.

Ditmir Bushati, përshembull, nuk është një pushtetar prej 5 vitesh tashmë, e deputet prej katër vitesh. Megjithatë Bushati është një person shumë publik. Si intelektual, ish-ministri i Jashtëm po drejton një podcast të nivelit të lartë, ku ka intervistuar deri tani një numër të konsiderueshëm personalitetesh europiane të qendrës së majtë.

Nga Romano Prodi te Janis Varufakis apo Roberto Saviano, personazhe që sot po kthehen në zhvillime pozitive të së majtës në Europë.

Meqë ra fjala, në Romë, u mblodh para pak ditësh kupola e Partisë Socialiste Europiane për të ndihmuar të majtën italiane në zgjedhje. Ku nuk ishte ftuar Edi Rama, pasi konsiderohet një lider i lidhur ngushtë me të djathtën.

Edhe dje në bazën e Kuçovës, Edi Rama, njeriun afër vetes kishte një nostalgjik të së djathtës së vjetër në Itali, ministrin e Mbrojtjes, Guido Crosetto, që është një lobist i madh i industrisë së armatimit të Italisë. Të cilit, duket i ka dhënë një ‘fetë’ të prodhimit të municioneve për Ukrainën në Shqipëri.

Edi Rama, miqtë më të mirë të tij në Europë, sot, ka Giorgia Melonin, Viktor Orban dhe Rexhep Tajip Erdogan, të djathtën më populiste, më sovraniste e më të rrezikshme në Bashkimin Europian.

Gjeopolitikisht, Rama mund të jetë i justifikuar se në fund të fundit këta personazhe janë në qeveri. OK! Por marrëdhënia e tij me to është përtej një lidhjeje shtetërore, është ideologjike, ku PS po reflekton pikërisht këtë kontekst.

Por, nga ana tjetër, ka mjaft zëra në Partinë Socialiste që duan një doktrinë të majtë, edhe në fund të fundit të thërrasin të gjithë ata që mendojnë si të majtë. Kësaj i frikësohet Edi Rama, ndaj po synon të kthejë PS-në në një parti ku e majta si koncept të jetë sa më shumë margjinale.

Ky është realisht zhvillimi më i rëndësishëm politik në Shqipëri, përveç idiotësive të opozitës që shkojnë pas Berishës. Edi Rama po përfiton në këtë situatë që të largojë çdo kënd që mendon majtas, por që në fund do ta votojë PS-në nga frika e rrezikut Berisha.

Partia Socialiste sot është një parti pushteti në radhë të parë, parti të fortësh në radhë të dytë, e në radhë të tretë është një parti oligarkësh. E një ditë, madje shumë shpejt dikush do flasë. Dikush që nuk merr rrogë nga Edi Rama dhe Lali Eri, e kësaj i frikësohen të dy, ndaj po kërkojnë të ndryshojnë raportet. Por realisht e gjitha është mediatike sepse socialistët, ata të vërtetët presin një Mesia, qoftë edhe i rremë, vetëm të heqin dorë nga këta njerëz që përkrahin të djathtën ekstreme. Ky është realisht konflikti real në politikën shqiptare që jo vetëm do ta çojë PS në opozitë, por do të rrëzojë e shkatërrojë të gjithë klanin e Edi Ramës, i cili Partinë Socialiste e kontrabandoi. E këtë socialistët nuk do t’ia falin kurrë!/Pamfleti

Lini një Përgjigje