
Teksa të gjithë presin që SPAK të trokasë te Meta e Berisha, dyshja opozitare është hedhur në sulm për të frenuar stuhinë që mund të vijë...
Dyshja Meta-Berisha duket se është në sintoni të plotë sa i takon sulmeve ndaj drejtësisë. Reforma ka filluar të japë efekt dhe ndonëse për momentin SPAK po druhet të godasë në nivelet më të larta, sinjalet janë se ajo ditë nuk do të jetë e largët. Dy personat që janë më të shqetësuar janë padyshim Meta dhe Berisha. Të gjithë presin që ata të japin llogari dhe duket se ata po koordinojnë veprimet.
Sali Berisha doli sot në një konferencë për mediat dhe nuk kurseu sulmet ndaj SPAK. Madje ai ishte mjaft i ashpër, duke treguar se e frikëson diçka. Ai u pyet madje nëse po i bën presion SPAK-ut dhe shkoi deri aty duke kërcënuar me protesta kundër prokurorisë.
“Në qoftë se merr presion protestën e opozitës për amnistitë e SPAK-ut, kjo është botërore, ndodh në të gjithë botën. Këtu ndodh shumë pak. SPAK-u ka dëshmuar tani kontrollin e plotë politik të tij. A janë Beqja, stërbeqja në aferën e sterilizimit, a nuk përbën ky grup organizatë kriminale? Ky term hiqet dhe Beqja amnistohet.
Cila opozitë në botë nuk do protestonte? Dërgohen të gjithë, por nuk dërgohet ai që ka firmosur. Ka vendosur pikëzimin, ka emëruar kushëririn e parë në krye të koncesionit, ka falur aparaturën, ka falur komplekse, ujin, energjinë. Jo presion, por ata duhet të përballen me presionin më të fuqishëm popullor”, tha Berisha.
Por nuk zgjati shumë dhe erdhi reagimi i aleatit të tij. Ilir Meta doli në rrjetet sociale dhe teksa u mundua të sulmonte Ramën, goditi edhe drejtësinë. Kreu i PL është i kujdesshëm dhe nuk e përmend me emër SPAK-un, por duket se mesazh shkon për të.
“Edhe sot Edi Rama gënjeu paturpësisht për mosfunksionimin e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit dhe iu shmang faktit se inceneratori i Tiranës nuk ekziston fare duke treguar qartë se koka, garantuesi dhe përfituesi kryesor i kësaj afere është vetem ai, i cili përmes kapjes antikushtetuese të drejtësisë garanton jo vetëm paprekshmërinë e tij por edhe vazhdimin e korrupsionit galopant dhe kriminalizimin e shtetit në çdo qelizë”, tha ai.
Në fakt nuk kanë faj. Berisha ka hallin e dhëndrit dhe të djalit, ndërsa Meta ka hallinë tij, pasi janë 5-6 dosje të hapur në SPAK. /Pamfleti
Lini një Përgjigje