
Ish kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të mos e rëndojnë më tej krizën në Kosovë me Edi Ramën.
Në një bashkëbisedime me qytetarët në “Facebook”, Berisha deklaroi se Rama ka ndërhyrë në mënyrë flagrante jashtë çdo kodi duke projektuar Asociacionin, duke shtuar se atë projekt kryeministri e mori nga sivëllai dhe padroni i tij Aleksandër Vuçiç.
“Edi Rama propozoi, jashtë çdo lloj kodi, në një ndërhyrje flagrante në punët e një vendi, projektin e të ashtuquajturit Asociacion. Pa asnjë tagër, pa asnjë autoritet. Ky projekt sigurisht u hodh poshtë nga të gjitha forcat politike të Kosovës. Pasi Kosova nuk e pranoi atë, u detyrua dhe padroni i Ramës të thotë se ai nuk na përshtatet. Por, Edi Rama atë projekt e mori nga sivëllai i tij, padroni i tij Vuçiçi. Përveç projektit, ai përdori një gjuhë ndaj Kosovës, që Putini do ia kishte lakmi.
Kosova do kthehet në kohën e bronzit, tha. Ne kemi mbajtur qëndrimet tona, por shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos rëndojë krizën me Edi Ramën sepse angazhimi i tij, jo që nuk lehtëson, por rëndon krizën në veriun e Kosovës, të krijuar para se gjithash nga projekti i Serbisë së Madhe të Aleksandër Vuçiç. Ai kërkon me çdo kusht që ato komuna, pasi dështoi me ndryshimin e kufijve, t’i ketë të qeverisura prej tij. Sikundër u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të bëjnë çdo gjë që kanë në dorë për bashkërendim dhe bashkëpunim me KFOR-in, BE-në dhe SHBA.”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje