
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zbuluar datën se kur do të zhvillohet protesta e radhës e opozitës. Berisha njoftoi se protesta do të mbahet në datën 23 Dhjetor.
Kryedemokrati u shpreh se e hëna e 23 Dhjetorit, do të jetë dita e mosbindjes civile më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria deri më sot.
Ai deklaroi se protesta duhet të ketë fuqinë e elektroshokut, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve kudo që janë t’i bashkohen mosbindjes civile.
“Data 23 Dhjetor do të jetë dita e mosbindjes civile më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria deri më sot.
Modalitetet e kësaj mosbindje civile do të përcaktohen nga grupi përgjegjës, por opozitarët, demokratët nga mbarë Shqipëria e kudo që ndodhen në botë duhet të bashkohen më 23 në një mosbindje civile. Duhet të ketë fuqinë e elektroshokut për regjimin narkodiktatorial të Ramës.
Diktatura rrëzohet ose me lëvizje të armatosur siç dje me diktatorin gjakatar Bashar Al Asad, ose me mosbindje civile. Opozita shqiptare ka zgjedhur mosbindjen civile si rrugën kryesore, të vetme për të çliruar shqiptarët nga narkodiktatori dhe diktatura e tij që kërkon të marrë njëlloj si Lukashenko mandatin e katërt, të grabisë mandatin e katërt”, tha Berisha në një deklaratë për mediat.
Lini një Përgjigje