Deputetët e opozitës kanë bllokuar sërish seancën parlamentare, e cila nuk ka nisur ende. Ata kanë kthyer karriget përmbys duke mos lejuar zhvillimin e seancës në normalitet.
Ish kryeministri Sali Berisha në një lidhje live në Facebook ka nisur fjalimin drejtuar qytetarëve, teksa thotë se Edi Rama nuk pranon ngritjen e Komisioneve Parlamentare sepse është i përfshirë në afera.
Ai tha gjithashtu se mosbindja e civilëve të opozitës do të vazhdojë, teksa shtoi se familjarët e Ramës janë vërsulur pas tenderave për t’u pasuruar në kurriz të shqiptarëve.
"Kuvendi është i detyruar të ngrejë komisione hetimore. Nuk mundet Edi Rama të ndalojë këto komisione. Nuk mundet të pranoj Edi Rama komisionet se është shumëfish i inkriminuar dhe sillet si kreu i një organizate të rrezikshme kriminale. Nuk i pranon komisionet hetimore për portin e Durrësit të cilin e mbylli për të përvetësuar tokë publike. Në këtë territor ka parashikuar të ndërtoj apartamente, hotele, e pishina. Mijëra euro të sigurohen nga shqiptarët e drogës së Dubai.
Nuk pranon hetimin të aferave të PPP në shëndetësi, rend për të mbrojtur Cheek-up e kushëririt të gruas. Nuk pranon komision për parkun e Butrintit, se ka përcaktuar si zona ndërtimi zona më të mbrojtura të Shqipërisë. Edi Rama nuk mund të pranojë komisione hetimorë për investitorë strategjikë se ata janë bosët më të fuqishëm të drogës dhe krimit, Pëllumb Gjoka, ministra, Olta Xhaçka, deputetë, trafikantë të ndjekur në të katërt anët e botës.
Vazhdon mosbindja civile e parlamentareve të opozitës. Familjarët e tij janë vërsulur pas tenderave për t’u pasuruar në kurriz tuaj. Rama nuk pranon dot Komisionet Parlamentare se është i inkriminuar. E pret fati i McGonigal”, shprehet ndër të tjera Berisha.
Ndërkohë, garda është rreshtuar pranë foltores në sallën e parlamentit të kthyer në kaos. Në Kuvend kanë hyrë disa prej deputetëve të opozitës dhe ligjvënësve socialistë.
Deputetët e Sali Berishës kanë marrë karriget e deputetëve dhe i kanë bërë pirg para Foltores së Kuvendit. Por kësaj radhe, deputetët e Berishës nuk ka marrë vetëm karriget e socialistëve, por edhe ato të opozitës.
Para nisjes së seancës plenare, Sali Berisha deklaroi se Rithemelimi do të vazhdojë betejën e nisur.
“Mendoj se ky është vendimi më i përgjegjshëm. Alternativa e këtij vendimi do të ishte bojkoti, por bojkoti do të ishte një dëshirë dhe kënaqësi e Edi Ramës, të cilën nuk do ia plotësojmë. Ne do vazhdojmë betejën.
Ai ka një muaj që nuk hyn në parlament, nuk respekton interpelanca, nuk respekton pyetje, nuk respekton asgjë, çka shkel Kushtetutën, kurse ne mbrojmë Kushtetutën”, tha Berisha jashtë ambienteve të Kuvendit.
Deputetët e PD, kanë bërë të qartë se janë tre kushte të cilët duhet të plotësojë maxhoranca që të kthehet normaliteti në Kuvend.
“Opozita është e vendosur te mos lejoi jetë normale parlamentare deri ne plotësimin e kërkesave të saj: 1- Ngritjen e komisioneve hetimore, 2- Përfshirjen në komisionin e reformës zgjedhore, 3- Mazhoranca të heq dore nga përfshirja në zhvillimet e brendshme të opozitës, duke mos ndërhyjë e të vendos kush është opozita”, thuhet në kërkesat e opozitës.
Lini një Përgjigje