TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Maj 2023, 13:28

"14 maji do përcaktojë fituesin e 2025-ës", Kikia: Shanse të barabarta për Tiranën, në Durrës gara më e fortë  

Shkruar nga Pamfleti
"14 maji do përcaktojë fituesin e 2025-ës", Kikia:
Mentor Kikia

Gazetari Mentor Kikia duke folur për fushatën e zgjedhjeve të 14 majit, theksoi se nga rezultatet do varen fatet politike të dy kampeve. Kikia tha se zgjedhjet do përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, prandaj palët janë kaq agresive dhe të investuara. Kikia i sheh shanset për fitoren në Tiranë 50 me 50 për të dy kandidatët, ndërsa vë në dukje se mazhoranca i ka gjasat edhe për ta marrë Shkodrën, që konsiderohet ‘kalaja’ e fundit e demokratëve. Sipas gazetarit gara më e fortë po zhvillohet në Durrës, ku gara është edhe më e fortë se Tirana dhe Shkodra, pasi është “kështjella ekonomike” e vendit.

"Nga rezultati në këtë proces zgjedhor varen fatet politike të dy kampeve politike. Nëse mazhoranca socialiste do humbasë në atë nivel ku zgjedhjet vendore mund të konsiderohen të humbura, ky është paralajmërimi i qartë se qytetarët janë duke u përgatitur për ta rrëzuar PS-në nga pushteti në zgjedhjet e 2025-ës. Ndaj edhe këmbëngulja e socialistëve për të mbajtur pushtetin vendor mendoj se është më shumë për të siguruar vazhdimësi të qeverisjes në nivel qendror.

Nëse opozita do të fitojë zgjedhjet vendore, ky është sinjali i një rioroganizimi, i një rizgjimi të saj, përmbylljes së betejës së brendshme. Nëse opozita, flas për pjesën e drejtuar Berisha dhe Meta do fitojnë mjaftueshëm bashki dhe qendrat e rëndësishme administrative të vendit, ky është sinjali se në zgjedhjet e përgjithshme ky grupim politik përgatitet për t’u rikthyer në pushtet. Fushata nga lidershipi politik është përqendruar pothuajse 100 për qind në motive politike. Janë rrethanat e kohës që lidershipin e ka çuar drejt politizimit të skajshëm të këtyre zgjedhjeve”.

Janë 4 bashki që kanë marrë më shumë vëmendjen, Shkodra, Durrësi, Tirana dhe Elbasani. Shkodra është bashkia që s’është ‘pushtuar’ asnjëherë nga socialistët dhe konsiderohet më shumë një sfidë politike, një lloj fitore morale. Socialistët janë investuar maksimalisht në Shkodër, me një kandidat jo shumë politik, por shumë influent në Shkodër.

Tirana është një nga bashkitë ku gara është reale dhe serioze. Nga aktiviteti që kandidatët dhe stafet kanë në bazë. Bast nuk vihet në politikë. Sondazheve s’kam qenë i prirur t’u besoj. I shikoj shanset 50 me 50 me të dy kandidatët. Vjen një kohë kur pushteti të ezauron. Këlliçi ka dy elementë ku mbështet shpresën për fitore, ezaurimi që pushteti i ka bërë Veliajt dhe projektet e tij, ofertat e reja. Këlliçi ka lënë jashtë fushatës së tij Berishën dhe Metën. Kelliçi s’kishte pse të shkonte te qytetarët me kostot e Berishës dhe Metës. Kjo ka ndodhur edhe në Durrës dhe Elbasan. Te opozita ka ndarje të qartë të pjesës politike dhe administrative. Në Elbasan implementohet votimi dhe numërimi elektronik, që nëse rezulton me sukses, do shënojë një etapë të re, atë të përmbylljes, të daljes së rezultatit menjëherë pas votimit. Edhe në Elbasan ka një garë reale ku opozita synon të marrë drejtimin e bashkisë pas 5 mandateve radhë të socialistëve.

Në Durrës po zhvillohet gara më e fortë edhe më e fortë se Tirana dhe Shkodra. Durrësi është kështjellë ekonomike, ku janë të përqendruara projekte të mëdha. Në fushatën për Durrësin kryeministri është investuar personalisht si në asnjë bashki tjetër. Durrësin po kërkojnë ta mbajnë me sforco. Opozita ka një kandidat për herë të parë nga vlerësimet që vijnë, një kandidat potencial që mund ta marr bashkinë. Të dyja palët janë në momente shumë të rëndësishme të historisë së tyre politike"-u shpreh Kikia.

mentor kikia 14 maji

Lini një Përgjigje