
Partia Demokratike, përmes një kërkese zyrtare, i kërkon KQZ-së pamjet filmike të kamerave të sigurisë të magazinës në Lundër, atje ku janë mbajtur materialet zgjedhore.
Kjo kërkesë, sipas demokratëve, ka të bëjë me transparencën e procesit. Ende nuk dihet nëse nga pamjet që pretendojnë të kenë në duar, do të nxjerrin gjë në dritë demokratët e Sali Berishës, por ajo që po shihet është se nga procesi i rinumërimit, janë disa qindra vota që janë konsideruar si të PD dhe PS, ndërkohë që ose i përkasin subjekteve të tjera ose kanë qenë të pavlefshme dhe janë konsideruar si të vlefshme.
E ndërsa në Tiranë po rinumërohen votat për subjektet dhe kandidatët, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të subjektit Partia Demokratike, Marash Logu, në shkresën e firmosur prej tij, kërkon vënien në dispozicion të pamjeve filmike të ambienteve brenda dhe jashtë saj.
Demokratët në kërkesën e tyre kërkojnë pamjet filmike të ambienteve brenda dhe jashtë magazinës në Lundër, ku ruhen materialet zgjedhore, për periudhën 10-20 prill 2025.
“Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të subjektit zgjedhor "Partia Demokratike - Aleanca për Shqipërinë Madhështore" në funksion të verifikimit të çdo informacioni dhe denoncimit të mbërritur pranë strukturave tona lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 si dhe transparencës së plotë të këtij procesi, nëpërmjet kësaj shkrese kërkojmë vënien në dispozicion të pamjeve filmike të ambienteve brenda dhe jashtë ambienteve të magazinës në Lundër ku ruhen edhe materialet zgjedhore për periudhën 10-20 prill 2025. Mbetemi në pritje të përgjigjes suaj, brenda një afati sa më të shkurtër. Marash Logu”, thuhet në kërkesë.
Lini një Përgjigje