Pas vizita të befasishme në Bashkinë e Vlorës, Fierit e Durrësit, kryeministri Rama është nisur mëngjesin e kësaj të mërkure në Bashkinë e Elbasanit.
Ku njësoj si në tre bashkitë e mëparshme edhe këtu pritet që të bëjë mbledhje me kryetarët e bashkisë dhe të kërkojë dorëheqjen e drejtueseve, për t’u lënë vendin njerëzve të rinj, me ide dhe ambicie të reja.
Vizitat e kryeministrit vijnë në kuadër të iniciativës kombëtare për lirimin dhe sistemimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme, ku Kryeministri Rama ka ndjekur nga afër aksionet e nisura më herët edhe në Vlorë.
Ndërkohë si në Fier, edhe në Durrës Rama kërkoi largimin e drejtuesve aktualë të institucioneve në varësi të bashkisë.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga Lungomare në Vlorë, pasi bizneset kanë hequr tavolinat që zinin hapësirën publike.
Disa ditë më parë, kreu i qeverisë i bëri thirrje të gjithë bizneseve që të lirojnë trotuaret, në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike.
Postimi i plotë i Edi Ramës:
VLORA sot pasdite
Ja se si doli në dritë Lungomarja, thjesht duke hequr barrikadat absurde dhe frymën e shëmtimit kioskëzues, ndërkohë që të gjithë kanë hapësirën e tyre, edhe qytetarët, vizitorët, turistët, edhe njësitë e shërbimit, të çliruara nga “rraqet” e tepërta dhe të tërhequra qytetarisht në zonën e tyre.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka firmosur dorëheqjet e të gjithë drejtorëve që dorëzuan detyrën pas ultimatumit të kryeministrit Rama. Ai ka pasur takime me ta dhe në fund ka vendosur të firmosë dorëheqjet.
Ndërkohë, pritet që në ditët në vijim të zyrtarizohen edhe emrat e rinj që do të marrin drejtimin e sektorëve kyç në Bashkinë e Vlorës.
Nga ana tjetër, furtuna duket se ka mbërritur edhe në Fier dhe në Durrës. Kryeministri pati sot një takim me përfaqësues të Bashkisë në Fier dhe dha të njëjtat direktiva: të gjithë drejtorët të dorëhiqen. Ndërkohë mësohet se pak më parë ka mbërritur në Durrës, ku pritet e njëjta reprezalje.

Furtuna e Edi Ramës në Vlorë nuk kurseu as drejtuesit e PS në këtë qark. Admir Malaj dhe Vilma Bello nuk do të jenë më bashkëkryetarë të degës, ndërsa në krye të Partisë Socialiste Vlorë është komanduar Klevis Kaso si kryetar, ndërsa bashkëkryetare është emëruar Erjona Ismaili.
Sot është bërë prezantimi i tyre nga drejtuesi i qarkut, Bledar Çuçi.
“Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së për kalimin e stafetës së drejtimit të partisë te dy bashkëkryetarët e rinj, Erjona Ismaili dhe Klevis Kaso. Falënderues Vilmës dhe Pirros për punën e shkëlqyer që bënë përgjatë këtyre muajve intensivë të organizimit tonë elektoral e që u shpërblye me fitoren historike të 11 majit, me plot 9 mandate si asnjëherë më parë. Koha tani të shohim përpara, të jemi më pranë njerëzve, të adresojmë më mirë shqetësimet dhe nevojat e tyre dhe të bëjmë gjithçka duhet e kemi në dorë për Vlorën 2030. Shumë suksese Erjonës dhe Klevisit”, shkruan Çuçi.

Pas urdhrit të Edi Ramës, një aksion ka nisur nga autoritetet vendore në Vlorë, për lirimin e hapësirave publike.
Ky aksion ka vënë në alarm dhjetëra biznese përgjatë Lungomares, një nga zonat më të frekuentuara turistike të bregdetit jugor. Operacioni synon heqjen e të gjitha objekteve në hapësirat publike, por ka ngjallur reagime të forta nga sipërmarrësit lokalë, të cilët thonë se janë kapur në befasi dhe në momentin më të keq të mundshëm.
“Si mund të na shembësh kur është muaji më i rëndësishëm i vitit për ne?”, shprehet një prej biznesmenëve. Ai shton se aksioni duhej të ishte ndërmarrë ose para zgjedhjeve, ose pas përfundimit të sezonit, për të mos cënuar rëndë të ardhurat jetike të operatorëve turistikë.
Një tjetër qytetar, i rikthyer nga jashtë për të hapur një biznes në Lungomare, rrëfen me zhgënjim: “Kam një muaj që e kam hapur lokalin. Investova gjithçka. Është viti im i parë këtu, u ktheva me shumë dëshirë, por tani po mendoj të iki përsëri. Nuk mund të goditesh kështu pa paralajmërim, në emër të një aksioni që mund të bëhej më vonë.”
Zërat e shqetësimit nuk ndalen me kaq. Të gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit lokalë janë të një mendjeje: zbatimi i ligjit është i domosdoshëm, por jo në këtë periudhë. Sipas tyre, ky veprim jo vetëm që i çon drejt falimentimit, por dëmton rëndë imazhin e Vlorës përballë mijëra turistëve që kanë nisur të zbresin në bregdet.
“Të na japin kohë, të shtyhet për pas sezonit. Askush nuk po kërkon të shkelë ligjin, por kërkojmë të trajtohemi si njerëz që punojmë dhe mbajmë familjet me këtë punë”, apelon një tjetër qytetar.

Zbardhen të tjera detaje nga mbledhja e kryeministrit Edi Rama me drejtuesit e Bashkisë në Fier. Sipas burimeve, ai ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë drejtuesve të drejtorive rajonale në Fier, dy nënkryetarëve dhe drejtuesve të departamenteve të bashkisë.
Mbledhja mësohet se ka qenë shumë e ‘nxehtë’. Rama ka qenë i revoltuar në fjalën e tij, duke deklaruar se qytetarët u dhanë atyre mandatin e katërt dhe nuk mundet që një numër i madh drejtorësh të marrin rrogën dhe të mos bëjnë asgjë. Sipas burimeve ka pasur ngritje zëri dhe ultimatume.
Fokusi kryesor ka qenë te hapësirat publike. Sipas Ramë, lokalet dhe bizneset kanë zaptuar hapësirën e përbashkët dhe shumë drejtorë nuk e bëjnë si duhet detyrën. Ai ka kërkuar që të nisë dhe aty aksioni për lirimin e hapësirave.
Pas mbledhjes pritet shou i radhës, ku Rama do të dalë shëtitje në qytet dhe të shohë nga afër se si janë zaptuar trotuaret dhe lulishtet.

I shoqëruar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, drejtuese politike në Qarkun e Fierit, Kryeministri Edi Rama ka zbarkuar në Fier, atje ku ka kërkuar dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve dhe zyrtarëve të Bashkisë, në kuadër të atij që e konsideron si proces vetëpastrimi.
Rama e nisi vizitën në Fier me një takim në Bashki, me një skenar pothuajse të njëjtë me atë të Vlorës, ku brenda 24 orësh, detyroi nënkryetarët e institucionet dhe drejtuesit e institucioneve vendore të dorëhiqen.
Nga raportimet e para lidhur me mbledhjen që po vijon në Fier, Rama ka kërkuar që procesi i vetëpastrimit të vijojë, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve që nuk kanë përmbushur pritshmëritë dhe detyrat. Në të kundërt ata do përballen me largime dhe shkarkime. Dhe në këtë kuadër, ata e kanë të qartë se dorëheqja mbetet opsioni më i mirë. Të paktën kjo ka ndodhur deri më sot në rastet kur Kryeministri ka shënjestruar si të paaftë, ose mospërmbushësh të premtimeve.
Në këtë kuadër, pritet që brenda 24 orëve të ardhshme, edhe në Fier të ndodhë ajo që u pa në Vlorë me largime të zyrtarëve dhe drejtuesve të institucioneve lokale.
Kryebashkiaku Armando Subashi pritet të emërojë emrat e rinj jo vetëm në administratën e Bashkisë, por edhe në institucionet në varësi.
Ende nuk dihet se sa zyrtarë vendorë mund të ndryshohen në Fier, por duket se pas 11 majit, ku Edi Rama mori mandatin e 4-t rradhazi si Kryeministër, madje me një mazhorancës të frikshme prej 83 mandatesh, ka nisur një proces ‘pastrimi’ jo vetëm në rradhët e pushtetit vendor, por edhe në strukturat drejtuese të degëve të PS-së.
Rama ka qenë tepër kritik në takim, teksa ka kërkuar që të gjithë drejtorët të dorëzojnë në bllok dorëheqjet...
Pas Vlorës, duket se furtuna e shkarkimeve ka përfshirë edhe Bashkinë e Fierit.
Ashtu sikundër e paralajmëroi më herët, Rama ka mbërritur pak më parë në Fier, ku ka nisur një takim me kryebashkiakun Subashi, gjithë drejtorët e bashkisë dhe deputetët e zonës.
E pranishme është dhe drejtuesja politike e qarkut Belinda Balluku. Po ashtu është prezent dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku.
Sipas burimeve, Rama ka qenë tepër kritik në takim, teksa ka kërkuar që të gjithë drejtorët të dorëzojnë në bllok dorëheqjet.
Të gjithë drejtuesit e drejtorive rajonale në Fier, dy nënkryetarë dhe drejtues të departamenteve të bashkisë u është kërkuar dorëheqja, ndërsa mësohet se vala e shkarkimeve do t'i përfshijë të gjithë pa përjashtim.
Gjithashtu mësohet se kryeministri Rama ka folur me tone të ashpra për zaptimin e hapësirave publike, pastërtinë e qytetit dhe mosrespektimin e qytetarëve. "Ata na kanë vlerësuar me votë, ndaj ky besim do përkthyer në respekt ndaj tyre", ka thënë ai.
Më herët, kryeministri Edi Rama tha se është domosdoshmëri vetëpastrimi i strukturës në bashkitë Fier dhe Durrës, aty ku do të zhvillojë takime pasdite.
Ai theksoi se duhen sy të freskët, përpjekje e shtuar dhe një hov i ri për mijëra qytetarë që i mbështetën në 11 maj.
“Sot pasdite jemi në Fier dhe pastaj në Durrës, ku do të vazhdojmë të njëjtën përpjekje. Një vetëpastrim dhe vetëqetësim i brendshëm i strukturës. Domosdoshmëri pas një periudhe të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione të të njëjtëve njerëz, por edhe si rrjedhojë e domosdoshmërisë për ta parë realitetin e qyteteve tona të mëdha një realitet në transformim të vazhdueshëm.
Duhen sy të freskët, duhet një përpjekje shtuar, një hov i ri, sepse 12 mandate në Fier, janë histori, e shkruar nga dhjetëra mijëra mbështes tanë në zonë, diasporë, që kërkon të vazhdojë të shkruhet si një kapitull i ri, që kanë nevojë për më shumë cilësi jete”, tha Rama gjatë një komunikimi në Facebook.
Lini një Përgjigje